Brazili u eliminua në mënyrë tronditëse nga Kupa e Botës që në fazën e 1/8 së finales, ndërsa një prej legjendave më të mëdha të futbollit brazilian kërkon që kontrata e Carlo Ancelottit të prishet menjëherë.
Pesë herë kampionët e botës u mposhtën nga Norvegjia, me Erling Haalandin që realizoi dy gola dhe siguroi kualifikimin e skuadrës së tij në çerekfinale, ku do të përballet me Anglinë të shtunën.
Humbja i dha fund ëndrrës së Neymarit për Kupën e Botës, ndërsa 34-vjeçari u pa dukshëm i emocionuar pas vërshëllimës përfundimtare.
Edhe më shqetësues është fakti se eliminimi në 1/8 e finales përbën paraqitjen më të dobët të Brazilit në Kupën e Botës që nga viti 1990, kur u eliminua nga rivali i përjetshëm, Argjentina.
Arritja më e mirë gjatë kësaj periudhe mbetet gjysmëfinalja e vitit 2014, kur pësoi humbjen historike 7-1 ndaj Gjermanisë, e cila më pas u shpall kampione.
Carlo Ancelotti u emërua në krye të kombëtares në maj të vitit 2025 me synimin për ta rikthyer Brazilin në majën e futbollit botëror por në vend që t’i jepet kohë për të ndërtuar skuadrën, shumë zëra tashmë po kërkojnë largimin e tij.
Romario, kampion bote me Brazilin në vitin 1994, është ndër kritikët më të ashpër të trajnerit italian dhe madje deklaroi se do ta “çonte në gjykatë” pas eliminimit të hershëm.
“Ai nuk mund të mbetet trajner i Brazilit. Po të isha unë në krye të federatës, do të hyja në dhomat e zhveshjes, do t’i thosha të shkonte në ferr dhe do t’ia grisja kontratën në vend. Ndeshja ndaj Norvegjisë ishte një turp. Madje do ta çoja edhe në gjykatë. Pastaj të shohim çfarë ndodh, por ai nuk mund të vazhdojë”, tha Romario për “talkSPORT”.
Ancelotti konsiderohet një nga trajnerët më të mëdhenj në histori, pasi ka fituar pesë herë Ligën e Kampionëve, një rekord që e mban i vetëm.
Megjithatë, pesha e pritshmërive në Brazil duket se është e madhe edhe për një trajner të kalibrit të tij dhe rikthimi i suksesit do të kërkojë shumë punë dhe durim..

