Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me informacionet për trajtimin e deputetëve të Kuvendit në pikën kufitare të Qafë Thanës.
Gashi shprehet se deputetët janë përfaqësues të zgjedhur të qytetarëve dhe bartës të mandatit kushtetues, ndaj çdo veprim që prek autoritetin dhe funksionin e tyre duhet të jetë në përputhje me standardet më të larta të respektit dhe dinjitetit institucional.
Ai thekson se, duke pasur parasysh marrëdhëniet tradicionale fqinjësore dhe vëllazërore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, pret një sqarim të plotë dhe transparent për rrethanat e rastit.
Sipas Gashit, një sqarim i tillë do të kontribuojë jo vetëm në zbardhjen e plotë të ngjarjes, por edhe në ruajtjen e besimit reciprok, respektit institucional dhe frymës së bashkëpunimit që duhet të karakterizojë marrëdhëniet mes dy vendeve.

