Botë Lajme

Irani sulmon Bahrejnin dhe Kuvajtin pas sulmeve amerikane

Irani ndërmori të dielën sulme me dronë dhe raketa ndaj Bahrejnit dhe Kuvajtit, në përgjigje të sulmeve ajrore amerikane që goditën objektiva ushtarake iraniane.

Njëkohësisht, Teherani zyrtar paralajmëroi se bisedimet për arritjen e një armëpushimi mund të ndërpriten plotësisht nëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë operacionet ushtarake.

Një nga pikat kryesore të përplasjes mbetet Ngushtica e Hormuzit. Përpjekjet ndërkombëtare për ta rihapur këtë rrugë detare pa mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Iranit kanë rritur tensionet në rajon dhe kanë vënë në rrezik negociatat për një marrëveshje paqeje.

Një organizatë shumëkombëshe detare, e mbështetur nga Marina Amerikane, njoftoi të shtunën zgjerimin e korridoreve të lundrimit pranë Omanit, për të mundësuar qarkullimin normal të anijeve në të dy drejtimet. Ky vendim është kundërshtuar ashpër nga Teherani.

Komuniteti ndërkombëtar e konsideron Ngushticën e Hormuzit një rrugë ujore ndërkombëtare, megjithëse ajo shtrihet në ujërat territoriale të Iranit dhe Omanit. Ndërkohë, Irani pretendon se vetëm ai ka të drejtën të administrojë këtë zonë strategjike, përmes së cilës dikur kalonte rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës dhe gazit natyror.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e përsëriti këtë qëndrim gjatë një vizite zyrtare në Irak.

“Çdo ndërhyrje ose përpjekje për të krijuar mekanizma të rinj jashtë atyre që zbatohen nga Republika Islamike e Iranit vetëm sa do të shtojë tensionet dhe do të vonojë rihapjen e ngushticës së Hormuzit”, deklaroi ai në Bagdad.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara dhe Irani vazhdojnë negociatat për një marrëveshje të përkohshme, ku diskutohen çështje si lundrimi i sigurt në Gjirin Persik, heqja e sanksioneve amerikane dhe e ardhmja e rezervave iraniane të uraniumit të pasuruar.

Sipas memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar më herët gjatë këtij muaji, palët kanë 60 ditë kohë për të finalizuar marrëveshjen, por zhvillimet e fundit rrezikojnë ta dështojnë procesin.

Ministria e Mbrojtjes e Kuvajtit njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore rrëzuan dy raketa balistike dhe disa dronë iranianë, pa shkaktuar viktima apo dëme materiale. Kuvajti strehon një nga bazat më të mëdha ushtarake amerikane në rajon.

Në Bahrejn, autoritetet thanë se një sulm iranian goditi një ndërtesë banimi pranë aeroportit ndërkombëtar. Sipas Ministrisë së Brendshme, kati i sipërm i ndërtesës u shkatërrua plotësisht, por nuk pati viktima.

Bahrejni, ku ndodhet selia e Flotës së Pestë të Marinës Amerikane, dënoi ashpër sulmin, duke e cilësuar atë si “një përshkallëzim të rrezikshëm dhe një model të përsëritur agresioni ndaj sovranitetit dhe sigurisë së Mbretërisë”.

Sulmet ndodhën pas një fundjave me përplasje të vazhdueshme mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) njoftoi se kishte goditur infrastrukturën iraniane të mbikëqyrjes, sistemet e komunikimit, pozicionet e mbrojtjes ajrore, depot e dronëve dhe kapacitetet për vendosjen e minave detare. Operacioni erdhi pasi një anije cisternë me flamur panamez, e cila transportonte naftë për kompaninë shtetërore të Katarit, u sulmua në det.

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi përmes rrjetit social Truth Social, duke deklaruar se SHBA-ja kishte goditur depot e raketave dhe dronëve iranianë, si edhe radarët bregdetarë, për shkak të shkeljes së marrëveshjes së armëpushimit.

“Nëse kjo vazhdon, SHBA-ja mund të detyrohet ta përfundojë ushtarakisht këtë konflikt. Nëse ndodh kjo, Republika Islamike e Iranit nuk do të ekzistojë më”, shkroi Trump.

Exit mobile version