Kosovë Lajme

FSK institucioni më i besueshëm në vend

Bazuar në rezultatet e Anketës Rajonale WeBalkans 2026, Forca e Sigurisë së Kosovës edhe këtë vit radhitet si institucioni më i besueshëm i sigurisë në Republikën e Kosovës, duke gëzuar 87.4% të besueshmërisë së qytetarëve të anketuar.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e tij të sinqertë për qytetarët e Republikës së Kosovës për besimin e vazhdueshëm të treguar ndaj FSK-së.

Gjithashtu Gjeneral Jashari falënderon të gjithë personelin e FSK-së për profesionalizmin, punën e palodhshme dhe angazhimin e vazhdueshëm në përmbushje të misionit.

Ky vlerësim i lartë paraqet dëshmi të përkushtimit, profesionalizmit dhe integritetit institucional të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive të tyre kushtetuese dhe ligjore. Kjo arritur është falë angazhimit dhe shërbimit vetëmohues të personelit të FSK-së.

Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet e përkushtuar që misionin dhe detyrat e saj t’i realizojë me profesionalizëm, disiplinë dhe përgjegjësi të lartë, duke qenë gjithmonë e gatshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe për të kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

Besimi i qytetarëve përbën nder, përgjegjësi dhe motiv shtesë për FSK-në që të vazhdojë zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe operacionale, në funksion të përmbushjes së misionit të saj dhe të kontributit për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në vend dhe më gjerë.

Exit mobile version