Kosovë Lajme

Nisin punimet në rrugën Arllat–Malishevë, projekti kap vlerën e 1.85 milionë eurove

Kanë nisur punimet për rikonstruktimin e rrugës rajonale Arllat–Malishevë, segment që lidh komunat e Drenasit dhe Malishevës.

Ky projekt kap vlerën afër 1.85 milionë euro, me të cilin do të lehtësohet lëvizja e qytetarëve, do të rritet siguria në komunikacion, do të krijohen kushte më të volitshme për qarkullimin e mallrave dhe për zhvillimin ekonomik.

Gjatë ceremonisë së përurimit të fillimit të punimeve, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se nga ky projekt përfitojnë qytetarët por edhe bizneset.

Kurti përmendi se si do të lidhë fshatrat ky projekt.

“Për rikonstruktimin e rrugës rajonale R110, përkatësisht segmentit Arllat–Malishevë me gjatësi afër 11 kilometra e 800 metra. Ky segment nis në fshatin Arllat në nyjën lidhëse me rrugën nacionale N9 Prishtinë–Pejë, vazhdon përmes fshatrave Tërpezë e Ulët dhe e Lartë, pastaj Carralluk dhe përfundon në hyrje të Malishevës te tranziti i vogël ku bëhet lidhja me rrugën rajonale R119 Kijevë–Malishevë, punimet për ndërtimin e së cilës i nisëm muajin e kaluar. Me rehabilitimin dhe modernizimin e rrugës do të lehtësohet lëvizja e qytetarëve, do të rritet siguria në komunikacion, do të krijohen kushte më të volitshme për qarkullimin e mallrave dhe për zhvillimin ekonomik. Pra përfitojnë edhe qytetarët edhe bizneset”, tha ai.

Ai theksoi se projekti parasheh edhe ndërtimin e trotuareve në zonat e banuara, vendndalesave për autobusë dhe vendosjen e sinjalizimit sipas standardeve evropiane.

“Elemente të tjera të rëndësishme që janë të parapara me këtë projekt për rikonstruktimin e rrugës janë edhe trotuaret në zonat e banuara dhe vendndalesat apo stacionet për autobusë. Sigurisht pas rikonstruktimit rruga do të plotësohet me sinjalizim edhe horizontal edhe vertikal sipas standardeve evropiane, nga vijat, tabelat, shenjat orientuese e deri tek elementet reflektuese dhe të tjera mbrojtëse me qëllim të rritjes së sigurisë në komunikacion. Vlera e kontratës është afër 1.85 milionë euro. Ndërkaq afati për ndërtimin e rrugës është 150 ditë pune”, tha Kurti.

Ndërsa, ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, tha se ky projekt është investimi i dytë më i madhi rrugor në Malishevë brenda dy muajve, për të cilët tha se janë investuar nga Qeveria Kurti mbi 4.2 milionë euro.

Ai tha se do të ketë edhe investime të tjera në këtë komunë, por nuk do ndalen këtu.

“Kemi qenë bashkë këtu në muajin maj ku kemi filluar rehabilitimin e rrugës Kijevë–Malishevë, investim prej 2.4 milionë euro. Tani jemi në një aks tjetër rrugor, Arllat–Malishevë, investim mbi 1.8 milionë euro. Me fjalë të tjera, brenda dy muajve Qeveria Kurti po investon mbi 4.2 milionë euro në komunën e Malishevës. Sa për informacion, ne do të vazhdojmë me investime të tjera në këtë komunë, por investimet tona nuk do të ndalen në të gjitha rrugët rajonale edhe nacionale”, tha Basha.

Afati për realizimin e këtij projekti do të jetë 150 ditë pune.

Exit mobile version