Si çdo ditë edhe sot në orën 18:00 mijëra qytetarë do të mblidhen sërish në protestën e 17-të për të kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.
Qytetarët grumbullohen në sheshin “Skënderbe” dhe më pas marshojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’u stacionuar për disa orë me radhë përpara Kryeministrisë. Më pas ashtu siç janë, mijëra persona ‘pushtojnë’ paqësisht rrugët e Tiranës.

Edhe ditën e djeshme qytetarët kërkuan me çdo kusht dorëheqjen e Ramës. Protestuesit deklaruan se do të vijojnë qëndresën deri në realizimin e kërkesave të tyre, duke e cilësuar këtë mobilizim si një reagim qytetar kundër situatës politike dhe ekonomike në vend.
Gjatë tubimit përpara Kryeministrisë, thirrja kryesore e protestuesve ka qenë “Rama jepe dorëheqjen”, e cila tashmë është kthyer në refren të çdo proteste dhe “Rama n’burg, Berisha n’burg”.

