Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, shprehu gatishmëri për bashkëpunim me partitë e tjera për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri.
Kjo gatishmëri e Kurtit vë në fokus marrëdhëniet me opozitën, e cila përbëhet kryesisht nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Reagimi dhe gatishmëria e këtyre partive për t’u përfshirë në dialog do të jetë vendimtare për mënyrën se si do të zhvillohet procesi institucional.
Në këtë kuptim, deklarata e Kurtit mund të shihet si një sinjal për dialog politik, por edhe si një provë e vullnetit të opozitës për kompromis në një çështje që ka ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin institucional të Kosovës.
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli publicisti Lis Bukuroca, i cili shprehi dyshimet e tij mbi “pjekurinë poliitke” të opozitës, kur vjen fjala të përgjegjësia shtetërore.
Ai tha se, harta politike në Kosovë është e ndarë në dy kampe, në njërën anë është Kurti, në tjetrën opozita.
“Është shumë e vështirë të parashikohet se kur opozita do të tregojë më shumë pjekuri politike dhe përgjegjësi shtetërore. Arsyeja është e thjeshtë: harta politike në Kosovë është ndarë në dy kampe të qarta.
Në njërën anë është qeveria e Albin Kurtit, e cila synon forcimin e shtetit ligjor, zbatimin e ligjit për të gjithë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, si dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
Në anën tjetër janë partitë që, sipas perceptimit të një pjese të madhe të opinionit publik, bartin trashëgiminë e korrupsionit dhe të pasurimit në dëm të buxhetit dhe zhvillimit të Kosovës”, deklaroi ai.
Sipas Bukurocës, opozita nuk po arrin ta kuptojë se presidenti i duhet Kosovës, jo vetëm LVV-së.
Për këtë, u tregua shumë kritik ndaj liderëve opozitarë, ku tha se shumica prej tyre nuk kanë vizion politik dhe rrjedhimisht është vështirë të besohet se mund të lëvizin përpara.
“Presidenti nuk i nevojitet vetëm Lëvizjes Vetëvendosje; ai i nevojitet shtetit të Kosovës. Fatkeqësisht, opozita nuk e kupton ose nuk dëshiron ta kuptojë këtë fakt. Ajo vazhdon të sillet sipas logjikës së interesit partiak, ndërsa interesi shtetëror mbetet në plan të dytë.
Një pjesë e liderëve aktualë opozitarë gjenden në krye të strukturave politike që nuk i kanë ndërtuar vetë dhe për të cilat nuk kanë dhënë kontributin themelor historik. Ata më shumë administrojnë trashëgiminë e partive të tyre sesa ofrojnë vizion të ri politik. Prandja këto parti vështirë se mund të lëvizin përpara; shpesh ato mbeten të bllokuara në të kaluarën e tyre”.
Në fund, publicisti shtoi se, nëse nuk bëhet presion nga ndërkombëtarët për marrëveshje institucionale, ka rrezik që vendi të përballet sërish me bllokada politike.
“Nuk shoh shumë hapësirë për zgjidhje të shpejtë. Nëse nuk ushtrohet presion i mjaftueshëm nga partnerët perëndimorë për arritjen e marrëveshjeve institucionale, ekziston rreziku që opozita të barrikadohet përsëri dhe vendi të vazhdojë të përballet me bllokada politike”, përmbylli Lis Bukuroca për “Bota sot”.

