Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka njoftuar se po vazhdojnë aksionin më të madh për largimin e deponive ilegale në vend.
Ajo ka thënë se deri më tani janë larguar mbi 2700 ton mbeturina, ndërsa puna po vazhdon në Prishtinë, Mitrovicë jug dhe veri, Pejë, Deçan, Prizren dhe Ferizaj, e së shpejti edhe në qytetet tjera.
“Një nga shkaqet kryesore të krijimit të deponive ilegale ka qenë edhe mungesa e qasjes së qytetarëve në deponitë zyrtare për mbeturina sanitare dhe mbetje nga ndërtimi e rrënimet. Për këtë arsye, së bashku me KMDK-në, po ndërmarrim hapa konkretë për ta ndryshuar këtë gjendje. Së shpejti do të hapim qasje për qytetarët ku edhe do t’ju informojmë për datat, oraret dhe kushtet e pranimit të mbeturinave në deponitë sanitare në Mirash, Podujevë, Landovicë dhe Velekincë”, ka shkruar Pacolli.
Ajo ka thënë se do të investojnë në rehabilitimin e deponive rajonale në Gjilan, Prizren, Pejë dhe Podujevë, me synimin që ato të funksionojnë sipas standardeve evropiane dhe pa rrezikuar mjedisin.
“Tolerancë ndaj ndotësve nuk do të ketë. Hedhja e mbeturinave jashtë hapësirave të përcaktuara dënohet me ligj, me gjobë maksimale deri në 5,000 euro. Mjedisi është përgjegjësi e përbashkët. Vetëm me bashkëpunim dhe vetëdije qytetare mund ta mbajmë Kosovën të pastër dhe t’u lëmë brezave të ardhshëm një mjedis më të shëndetshëm”, ka shtuar Pacolli.

