Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka njoftuar se është përmbyllur procedura për përzgjedhjen e kontraktorit që do të ndërtojë autostradën Shkup–Bllacë, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor që do të lidhë më ngushtë Maqedoninë e Veriut me Kosovën.
Sipas Zekolli Shaqirit, gjatë një takimi pune me Aleksandar Nikolloski, Koce Trajanoski dhe Fatih Türkmenoğlu, u konfirmua se projektin do ta realizojë konsorciumi i udhëhequr nga kompania vendore “Granit”.
Ajo theksoi se autostrada Shkup–Bllacë përfaqëson një lidhje strategjike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, duke mundësuar transport më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas për qytetarët dhe bizneset e të dy vendeve.
Sipas njoftimit, pas përfundimit të procedurave administrative dhe sigurimit të garancive të nevojshme, pritet të nisin punimet në terren. Projekti parashikon ndërtimin e pesë tuneleve, dy galerive dhe 12 urave, ndërsa në total do të realizohen 40 objekte infrastrukturore.
Zekolli Shaqiri vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), duke theksuar se mbështetja e saj vazhdon të jetë kyçe për realizimin e projekteve strategjike në vend.

