Ish-deputetja dhe ish-ministrja e Jashtme, Arta Dade, ka bërë publike refuzimin e ftesës për të marrë pjesë në aktivitetin që Partia Socialiste organizon këtë të premte në sheshin “Italia”, me rastin e 35-vjetorit të themelimit të saj. Në një reagim të gjatë publik, Dade shpreh kritika të forta ndaj drejtimit aktual të PS-së dhe ndaj mënyrës se si po organizohet ky përvjetor, duke argumentuar se partia është larguar nga parimet mbi të cilat u ndërtua. Ajo e lidh qëndrimin e saj edhe me protestën e të rinjve që po zhvillohet prej ditësh në Tiranë, të cilën e konsideron si shprehje të kërkesave sociale dhe të pakënaqësisë ndaj qeverisjes.
Ajo shprehet se kjo është një revoltë edhe kundër zaptimit të së majtës: “Ajo që ndodhi me Partinë Demokratike në vitin ’90, kur Sali Berisha e ktheu atë në pronë private dhe zaptoi të djathtën, po përsëritet sot simetrikisht me Partinë Socialiste. Ky zaptim duhet të marrë fund.”

