Kosovë Lajme

Qeveria shpalos pakon për largimin e mbeturinave – Paralajmërohen ndëshkime ndaj komunave që nuk pastrojnë zonat urbane

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me ministren e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, kanë shpalosur pakon qeveritare kundër mbeturinave, për të cilin kanë deklaruar se janë ndarë 1 milion euro.

Derisa ka theksuar se situata është bërë serioze, sipas Kurtit, sektori i mbeturinave është një fushë që ndërthur të gjitha nivelet e pushtetit, si atë publik ashtu edhe privat, Ka shtuar se menaxhimi i mbetjeve kërkon harmoni dhe ekuilibër institucional e shoqëror.

Ai ka thënë se, pavarësisht disa përparimeve të arritura, në këtë sektor shpesh ka munguar koordinimi dhe ekuilibri mes akterëve përgjegjës.

“Kemi një situatë me mangësi serioze në menaxhimin e mbeturinave dhe kësisoj duhet të jetë prioritet i Qeverisë. Kemi bërë gati projektligjin e ri për mbeturinat dhe shumë pjesë të legjislacionit sekondar. Ligjin e kemi gati, por Kuvendin akoma jo”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, gjendja me mbeturinat në vend është bërë emergjente, prandaj Qeveria do të ndërmarrë masa të menjëhershme për ta adresuar problemin.

“Situata me mbeturina është bërë serioze. Kemi një emergjencë në sektorin e mbetjeve dhe për ta adresuar atë duhet masa emergjente. Po e shpallim një paketë të emergjencës kundër mbeturinave”, ka thënë ai.

Kurti ka bërë të ditur se aksioni synon dy efekte kryesore: ndërhyrjen në zonat ku hedhja ilegale e mbeturinave rrezikon mjedisin dhe shëndetin publik, si dhe krijimin e një qasjeje të re ku Qeveria merr rol udhëheqës në organizimin dhe koordinimin e akterëve përgjegjës në këtë sektor.

Ai ka shtuar se programi synon të vë në bashkëveprim kompanitë dhe institucionet e ndërlidhura, në mënyrë që aksioni të jetë sa më efektiv.

Sipas Kurtit, buxheti do të jetë 1 milion euro, ndërsa parashihet largimi i 500 deponive ilegale të mbeturinave dhe rritja e numrit të të punësuarve në këtë sektor.

Përveç pastrimit të mbeturinave, paketa do të synojë edhe forcimin e përgjegjësisë për ndotjen e mjedisit.

“Ne do të krijojmë paketë të re të inspektimit të mbeturinave”, ka përfunduar Kurti.

Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka paralajmëruar masa të ashpra ligjore dhe ndëshkime financiare ndaj komunave që nuk pastrojnë zonat urbane nga mbeturinat.

Gjatë prezantimit të Pakos për Mbeturinat, në konferencën për media me kryeministrin Albin Kurti, Pacolli ka thënë se programi shtetëror për largimin e mbeturinave përfshin pastrimin e hapësirave jashtë vendbanimeve, shtimin e kapaciteteve inspektuese dhe zbatimin e sistemit të gjobitjes dhe pagesës së shpenzimeve për ndotësit.

“Ky program bazohet në këto shtylla; pastrimin e hapësirave jashtë kufijve të vendbanimeve, shtimin e kapaciteteve inspektuese dhe vendosja pa asnjë kompromis e sistemit të gjobitjes dhe pagesës së shpenzimeve në kuadër të parimit të prerë. Kam nxjerrë vendimin për themelimin e grupit operativ për emergjencën e mbeturinave që është shtylla themelore e këtij programi. Nga sot po fillojmë me patrullime të shtuara dhe rritje të menjëhershme të inspektorëve në terren. Po ua bëjmë të qartë se në rast se zonat urbane nuk pastrohen, ne do t’i marrim masat më të ashpra ligjore edhe ndaj vetë institucioneve, përfshirë komunat. Në rast se komunat nuk performojnë në përputhje me standardet e vendosura, do të përdoret shkopi, ndëshkimi i rreptë financiar ndaj tyre”, ka thënë Pacolli.

Sipas saj, me këtë pako po synohet largimi i rreth 500 deponive ilegale të mbeturinave në tërë Kosovën.

Exit mobile version