Kosovë Lajme

Osmani, bartëse e listës së LDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës me 103 vota për ka miratuar propozimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, ku ai vetë do të jetë kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa ish-presidentja Vjosa Osmani do të jetë bartëse e listës së deputetëve. Osmani gjithashtu do të jetë edhe kandidate për presidente.

Pas përfundimit të mbledhjes, Abdixhiku ka thënë se nesër në orën 18:00 do të bëhet edhe ceremonia formale e bashkimit me Osmanit. Ndërsa bëri të ditur se asaj do t’i takojnë 20 emra në listën e LDK-së. Abdixhiku ka theksuar se në këto zgjedhje ka qenë e nevojshme edhe një kandidaturë për presidente, pasi sipas tij, vendi shkoi në zgjedhje pikërisht për këtë çështje.

Kryetari i LDK-së ka thënë se deri të martën, kur edhe përfundon afati për dorëzimin e listave për deputetë, do të përpiqet t’i bashkojë të gjithë ata që duan të jenë pjesë e listës, përfshirë ish-ministrin Agim Veliu.

Rikthimi i Osmanit në LDK vjen pas një periudhe të gjatë ndarjeje me partinë ku kishte ndërtuar karrierën e saj politike. Osmani ishte një nga figurat më të votuara të LDK-së dhe kishte ushtruar disa funksione të rëndësishme, përfshirë atë të deputetes dhe ushtrueses së detyrës së presidentes së Kosovës pas dorëheqjes së Hashim Thaçi në vitin 2020.

Përplasjet mes saj dhe strukturave të atëhershme të LDK-së u thelluan pas zgjedhjeve të vitit 2019 dhe rrëzimit të Qeverisë Kurti I. Në vitin 2021, Osmani garoi në zgjedhje në koalicion me Albin Kurtin dhe Lëvizja Vetëvendosje, duke u distancuar plotësisht nga LDK-ja dhe duke formuar partinë e saj, Lista Guxo.

Pas fitores së zgjedhjeve, ajo u zgjodh presidente e Kosovës dhe e ushtroi këtë mandat deri në fund. Por moskandidimi i saj nga LVV-ja edhe për një mandat prishi raportet mes tyre.

Exit mobile version