Moska ka shënuar Ditën e Fitores me një paradë ushtarake në Sheshi i Kuq, në një ceremoni të mbajtur nën masa të rrepta sigurie dhe me pjesëmarrjen e udhëheqjes ruse dhe disa liderëve të huaj.
Gjatë fjalimit të tij, presidenti rus Vladimir Putin shprehu besim në fitoren e Rusisë në Ukrainë, duke iu referuar trupave ruse që po luftojnë në konfliktin e vazhdueshëm. Ai shtoi se forcat ruse po përballen me një forcë agresive “që është e armatosur dhe e mbështetur nga i gjithë blloku i NATO-s”.
“Fitorja ka qenë gjithmonë dhe do të jetë e jona”, ka thënë Putin, duke theksuar, sipas tij, forcën morale, guximin dhe unitetin e ushtrisë ruse.
Parada e këtij viti u mbajt në kuadër të Ditës së Fitores, e cila përkujton humbjen e Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore dhe konsiderohet festa më e rëndësishme laike në Rusi.
Autoritetet ruse kishin vendosur masa të shtuara sigurie, ndërsa u raportua edhe një armëpushim i përkohshëm tre-ditor me Ukrainën i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, që u pa si përpjekje për të ulur rrezikun e incidenteve gjatë ceremonisë.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, parada këtë herë u zhvillua pa prezantimin e tankeve dhe armëve të rënda, përveç një fluturimi ceremonial të avionëve luftarakë.
Zyrtarët rusë thanë se ndryshimi i formatit lidhet me “situatën aktuale operative” dhe kërcënimet e mundshme të sulmeve.

