Kosovë Lajme

Kurti: Për Kosovën, NATO-ja s’është vetëm garantues i sigurisë, por orientim strategjik e destinacion

Kryeministri Albin Kurti ka theksuar se NATO-ja për Kosovën është jo vetëm garantuese e sigurisë, por edhe orientim strategjik dhe destinacion, gjatë një takimi me një delegacion të lartë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Kurti bashkë me anëtarët e kabinetit qeveritar, ka pritur në takim kreun e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiralin Giuseppe Cavo Dragone, dhe kreun e Komitetit Ushtarak të Bashkimit Evropian, Gjeneralin Sean Clancy.

Gjatë takimit, ai ka shprehur falënderim për angazhimin dhe përkushtimin e NATO-s për paqe, stabilitet dhe parandalim në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se roli i KFOR-it mbetet thelbësor për sigurinë e vendit dhe rajonit.

“Gjatë takimit, kryeministri Kurti shprehu falënderimin për angazhimin dhe përkushtimin e vazhdueshëm të NATO-s për paqe, stabilitet dhe parandalim në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, ndërsa tha se roli i KFOR-it mbetet thelbësor jo vetëm për sigurinë e vendit, por mbarë rajonit. Kryeministri Kurti theksoi se, për Kosovën, NATO-ja nuk është vetëm garantues i sigurisë, por orientim strategjik dhe destinacion. Në kontekst të procesit të integrimit evropian, ai tha se krahas politikës së pranimit, duhet t’i kushtohet rëndësi edhe dëshirës për anëtarësim”, thuhet në njoftim.

Kurti thuhet se ka përmendur rritjen e nivelit të sigurisë në vend, me theks të veçantë në veri, si dhe ka ngritur çështjen e synimeve destabilizuese të Serbisë të mbështetura nga Rusia.

Po ashtu, Kurti ka theksuar bashkëpunimin e ngushtë të Forcës së Sigurisë së Kosovës me NATO-n.

Exit mobile version