Kosovë Lajme

Kurti në ceremoninë e NALT-it: FSK po rrit kapacitetet me mbështetjen e NATO-s

Fjala e kryeministrit Albin Kurti, me rastin e transferimit të autoritetit të drejtorit të Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT) të NATO-s në Republikën e Kosovës:

Është kënaqësi e veçantë t’ju drejtohem sot, në një moment që reflekton rrugëtimin tonë të përbashkët drejt forcimit të kapaciteteve mbrojtëse dhe avancimit të partneritetit strategjik me aleatët tanë.

Republika e Kosovës ka ndërtuar institucionet e saj të sigurisë mbi bazën e bashkëpunimit të ngushtë dhe të qëndrueshëm me NATO-n dhe shtetet e saj anëtare. Forca e Sigurisë së Kosovës është sot një institucion profesional, i besueshëm dhe në zhvillim të vazhdueshëm, dhe ky progres është rezultat i përkushtimit të brendshëm, por edhe i mbështetjes së palëkundur të partnerëve tanë, për çfarë u jemi mirënjohës përherë.

Në këtë rrugëtim, roli i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATO-s (NALT) ka qenë thelbësor. Përmes këshillimit strategjik, asistencës profesionale dhe bashkëveprimit të përditshëm, NALT ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve operacionale, në forcimin e qeverisjes demokratike dhe në ngritjen e standardeve institucionale, si të Ministrisë së Mbrojtjes ashtu edhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

E në veçanti, në këtë periudhë të ndjeshme për sigurinë globale, e karakterizuar nga sfida të reja dhe dinamika të paparashikueshme, bashkërendimi i ngushtë me partnerët tanë strategjikë është më i rëndësishëm se kurrë.

Në këtë kuadër, prezenca e NATO-s në Kosovë, përmes Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës (NALT), përbën një element kontribues jo vetëm për sigurinë e vendit, por edhe të mbarë rajonit.

Si qeveri, ne i vlerësojmë lart këto arritje, të cilat dëshmojnë se bashkëpunimi ynë me NATO-n dhe mekanizmat e saj është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe i suksesshëm e me rezultate konkrete me ndikim në avancimin e sektorit të mbrojtjes. Njëkohësisht ky bashkëpunim forcon qëndrueshmërinë, sigurinë dhe orientimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.

Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në NATO mbetet një objektiv strategjik i yni, dhe progresi që po shënojmë sot e çdo ditë tjetër konfirmon se jemi në rrugën e duhur.

Sot, në mënyrë të veçantë, shprehim mirënjohjen tonë për kontributin e Drejtorit të Zyrës së NALT-it në Kosovë, Gjeneral Brigade Dr. Lange. Angazhimi i tij ka qenë i një rëndësie të posaçme në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve tona dhe NATO-s, si dhe në forcimin e kapaciteteve tona shtetërore në fushën e mbrojtjes.

Puna e tij ka lënë gjurmë të qëndrueshme në zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe në konsolidimin e institucioneve tona të mbrojtjes, duke kontribuar në rritjen e besueshmërisë dhe kredibilitetit të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Ndërsa e falënderojmë për shërbimin e tij të çmuar, i urojmë suksese të mëtejshme në angazhimet e ardhshme, duke qenë të bindur se ai do të mbetet një mik i afërt i Republikës së Kosovës.

Jam po ashtu i bindur se pasardhësi i tij, Gjeneral Brigade, Thomas Schulte-Borghoff do të vazhdojë këtë mision me të njëjtin përkushtim dhe profesionalizëm.

Këtu në Kosovë, në Republikën tonë demokratike do të gjeni një ambient miqësor e të ngrohtë, me institucione të dedikuara për t’i shërbyer paqes dhe sigurisë, lirisë dhe stabilitetit.

Ju faleminderit për bashkëpunimin dhe përkrahjen tuaj të vazhdueshme.

Vielen Dank!

Exit mobile version