Kosovë Lajme

Haxhiu: Faqet zyrtare nuk janë të individëve, por pronë e institucioneve

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se faqet zyrtare në rrjetet sociale janë pronë e institucioneve dhe jo e individëve, duke theksuar rëndësinë e transparencës institucionale për qytetarët.

Haxhiu ka bërë këto komente pasi ish-presidentja Vjosa Osmani ka riemërtuar faqen zyrtare të Presidencës në Facebook nga “Presidenca e Kosovës” në “Zyra e Presidentes së 6-të të Republikës së Kosovës”, pas përfundimit të mandatit të saj.

Ajo ka thënë se trajtimi i faqeve zyrtare si pronë individuale është i gabuar dhe ka theksuar se institucionet janë të obliguara të informojnë qytetarët për aktivitetet e tyre përmes kanaleve zyrtare.

“Unë mendoj që është gabim që të merremi me çështje të tilla për sa kohë faqet zyrtare në rrjetet sociale edhe të tjerat janë pronë e institucionit, jo individit. Me qëllim që ne t’i njoftojmë qytetarët e Republikës së Kosovës me aktivitetet e këtij institucioni, jemi detyruar që të hapim faqe të tjera. E di që dikujt ju ka duk teknike, e di që dikush e ka trajtuar si çështje që nuk ka vend për diskutim, por edhe si kryetare e Kuvendit edhe si ushtruese e detyrës së presidentit, e kam për obligim që të kem transparencë në aktivitetet e mia dhe që qytetarët e Republikës së Kosovës të njoftohen me të gjitha aktivitetet të cilat janë nën përgjegjësitë tona. Rrjetet sociale, faqet zyrtare nuk janë të individëve. Ato duhet të mbeten si pronë dhe trashëgimi e institucionit”, tha ajo.

Exit mobile version