Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Iranin mund ta shkatërrojnë brenda një nate, e sipas tij, ajo natë mund të jetë e marta nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në orën 20:00 për hapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Ai ka deklaruar në një konferencë për media se do të “hedhë ferr” mbi Iranin nëse ngushtica nuk hapet.
Trumpi ka thënë se SHBA-ja ka një partner aktiv dhe të gatshëm për negociata.
“Nuk mund të flas për armëpushim. Por mund t’ju them se kemi një pjesëmarrës aktiv dhe të gatshëm në anën tjetër. Ata do të donin të arrinin një marrëveshje. Nuk mund të them më shumë se kaq”, u ka thënë ai gazetarëve.
I pyetur për kërcënimin e tij për të bombarduar centralet dhe urat, Trump është përgjigjur duke thënë se “shpreson që nuk do të ketë nevojë t’i bombardojë”.
“Duhet të kemi një marrëveshje që është e pranueshme për mua. Dhe pjesë e asaj marrëveshjeje do të jetë që ne duam qarkullim të lirë të naftës dhe gjithçkaje. Kemi një plan, për shkak të fuqisë së ushtrisë sonë, sipas të cilit çdo urë në Iran do të shkatërrohet deri në orën 12:00 nesër në mbrëmje, ku çdo central energjetik në Iran do të dalë jashtë funksionit, duke u djegur, shpërthyer dhe duke mos u përdorur më kurrë. Pra, shkatërrim i plotë deri në orën 12:00, dhe kjo do të ndodhte brenda katër orësh nëse do ta donim. Ne nuk duam që kjo të ndodhë”, ka thënë ai.

