Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka theksuar se është i vendosur që t’i shmangë zgjedhjet e reja pasi nuk janë zgjidhje për çështjen e presidentit.
Pas takimit rreth dyorësh me liderin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, Kurti para mediave ka thënë se zgjedhjet nuk do të ishin zgjidhje efikase.
“Çështja kryesore që u diskutua, por jo edhe e vetmja, ishte fakti që na kanë mbetur edhe tri javë deri te zgjedhja e presidentit dhe për këtë duhet t’i maksimizojmë përpjekjet. Takimi shkoi në një atmosferë konstruktive dhe dashamirëse. Jemi të përcaktuar që t’i shmangim zgjedhjet e reja sepse nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Me fjalë të tjera është vështirë që ta paramendojmë një fushatë zgjedhore ku ne i risjellim platformat dhe programet tona me po të njëjtat zotime, të kërkojmë votën e qytetarëve për një rezultat që e dimë se nuk mund të jetë shumë ndryshe. Është sfidë tejet gjigante ajo që një parti t’i ketë 80 deputetë dhe të mund ta zgjedhë presidentin”, ka thënë ai.
Duke u shprehur optimist se do të mund të arrijë marrëveshje politike, Kurti ka thënë se përpjekja për të ecur vetëm me 80 vota do të ishte tejet e rrezikshme, pasi sipas tij për një zgjedhje të qëndrueshme do të nevojiteshin të paktën 84 deputetë.
“Vazhdoj të jem optimist se me takime të tilla do të mund të arrijmë marrëveshje politike, por nuk mund të themi se atë e kemi sot, veçse atmosfera konstruktive në njërën anë dhe dashamirësia që t’i shmangim zgjedhjet më bëjnë optimist për këto tri javët e mbetura që uroj të mos i shfrytëzojmë deri në orën e fundit. Vazhdoj ta kem qëndrimin e njëjtë që nëse kemi një emër të përveçëm dhe po synojmë të jenë vetëm 80 vetë në sallë, ky do të ishte rrezik tepër i madh. Nuk është caku ynë për të ecur përpara, nevojiten të paktën 84-85 deputetë”, ka deklaruar ai.
Kurti para mediave ka shtuar se do të përpiqet që për këtë çështje të diskutojë edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza. Sipas tij, kërkesa e PDK-së për të mbajtur emrat e kandidatëve të fshehur e ka bërë të vështirë arritjen e marrëveshjes.
“PDK-ja asnjëherë nuk ka nxjerrë asnjë emër përpara nesh, vetëm ka kërkuar që ne t’i besojmë në mënyrë absolute dhe të verbër që dy kandidatët të jenë të PDK-së dhe të mos na tregojnë paraprakisht. Kjo e bën të pamundur marrëveshjen, uroj që në komunikimet në vijim kjo të ndryshojë”.

