Kosovë Lajme

Mbrojtja kërkon lirimin e Thaçit, si argument paraqet vendosmërinë e tij për themelimin e Speciales

Mbrojtja Hashim Thaçi i ka kërkuar që ta llogarisë si rrethanë lehtësuese rolin e tij në themelimin e Dhomave të Specializuara në kohën sa ishte president. Në dosjen përfundimtare të saj, mbrojtja e Thaçit ka insistuar në lirimin e Thaçit, duke argumentuar se prokuroria ka paraqitur prova e dëshmitarë që nuk ia provojnë tezat e prokurorisë
Avokatët e Hashim Thaçit u kanë kërkuar gjyqtarëve të Dhomave të Specializura që ta marrin parasysh rolin e tij në themelimin e kësaj gjykate me seli në Hagë.

Roli i ish-presidentit të Kosovës, siç ka shkruar mbrojtja, duhet të merret si faktor lehtësues nga Gjykata Speciale.

Në rastin më të madh të Speciales, pos Thaçit, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të akuzuar janë edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

“Paneli duhet të marrë në konsideratë edhe disa faktorë lehtësues… Derisa retorika e opozitës dhe protestat e Shoqatave të UÇK-së arritën të parandalonin miratimin e Nenit 162 të Kushtetutës më 26 qershor 2015, Thaçi dhe Qeveria e Kosovës e paraqitën prapë të njëjtin projektligj në Kuvendin e Kosovës menjëherë pas kësaj, më 3 gusht 2015, kur ai u miratua. Mbështetja e Thaçit për Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) u nxit pjesërisht nga vendosmëria e tij që akuzat famëkëqija të Raportit të Martyt për trafikim organesh të vërtetoheshin si të rreme – ashtu siç janë. Ato nuk përbëjnë më asnjë pjesë të akuzave në këtë rast, pavarësisht se janë një nxitje kryesore për themelimin e DhSK-së”, thuhet në dosjen e mbrojtjes të Thaçit.

Ndër të tjera, avokatët e Thaçit i kanë kërkuar gjykatës që t’i besojnë deklarimit të Gjergj Dedajt në gjykatë kur ka thënë se delegacioni i politikanëve të krahut paqësor është trajtuar dinjitetshëm kur ishte në Qirez gjatë luftës.

“Është jokontestuese që Thaçi ishte në zonën e Qirezit pasi delegatët u ndaluan nga UÇK-ja. ZPS-ja nuk arriti të vërtetojë përtej dyshimit të arsyeshëm se Thaçi kishte ndonjë rol në ndonjë sjellje kriminale që lidhej me ndalimin e delegacionit në Qirez, e lëre më rol udhëheqës. ZPS pretendon rrahje të rënda dhe abuzim psikologjik në Qirez që përbëjnë trajtim mizor dhe akte të tjera çnjerëzore, si dhe torturë. Dëshmitari 03825 e konfirmoi se nuk kishte keqtrajtim ose kërcënime në Qirez, në përputhje me konferencën e tij për shtyp të 23 shtatorit 1998, ku ai deklaroi se delegatët nuk ishin kërcënuar dhe se UÇK-ja u soll në mënyrë të duhur”, thuhet në dosje.

Për periudhën gjatë luftës, mbrojtja ka thënë se prokuroria nuk e ka vërtetuar praninë e Thaçit aty ku pretendon se janë bërë krime e as pjesëmarrjen e tij në emërim të komandantëve të zonave dhe brigadave.

Për periudhën e pas-luftës, deri në shtator 1999, mbrojtja pretendon se letrat e panënshkruara, urdhrat që s’u dhanë e s’u zbatuan kurrë, s’mund të përdoren në dëm të Thaçit.

Për këto avokatët i kanë kërkuar Gjykatës Speciale ta shpallë të pafajshëm dhe ta lirojë menjëherë klientin e tyre.

Paraqitja e provave për këtë rast është mbyllur në dhjetor të vitit të shkuar. E për pak javë pritet që Gjykata të shpallë vendimin e shkallës së parë.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë të akuzuar për rolin e tyre si udhëheqës të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në periudhën 1998-2000.

Exit mobile version