Sulmuesi i Kombëtarës së Kosovës Vedat Muriqi ka folur në prag të zhvillimit të finales me Turqinë, e cila zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Muriqi, deklaroi të shtunën për HT Sport se Turqia është favorite në letër, por “Dardanët” do të kenë mbështetje të fuqishme nga tifozët dhe do të jetë avantazh terreni vendas.
“Pa dyshim që Turqia është favorite. Avantazhi ynë është se luajmë në shtëpi. Ata kanë lojtarë si Kenan dhe Arda, të cilët luajnë edhe në ekipe të mëdha si Real Madridi. Janë vlera të mëdha për futbollin turk, por edhe për futbollin evropian e botëror. Ne do të japim maksimumin dhe do të mundohemi të zbatojmë lojën tonë si ekip për ta arritur objektivin”, tha ai transmeton Klankosova.tv.
“Pirati” foli edhe rreth rëndësisë historike që do të kishte kualifikimi në Kupën e Botës.
“Nëse arrijmë të kualifikohemi në Botëror, do të jetë si një pavarësi e dytë për ne. Të gjithë janë shumë të emocionuar dhe plot shpresë”, theksoi sulmuesi prizrenas.
Ai la të kuptohet se ky mund të jetë një nga ciklet e fundit të tij me fanellën e Kosovës, duke pasur parasysh moshën dhe ambiciet personale.
“Në prill do të mbush 32 vjeç. Nëse arrijmë të shkojmë në Kupën e Botës dhe të bëjmë një rrugëtim të mirë, mendoj se do të jetë momenti i duhur për t’i dhënë fund karrierës me Kombëtaren”, shtoi ai.
Në rast fitores, Kosova do të shkruante historinë duke u kualifikuar për herë të parë në garën më të madhe të futbollit, Kampionatin Botëror që këtë vit zhvillohet në tri vende, ShBA, Kanada dhe Meksikë.

