Sport

500 mijë euro për ekipin e Kosovës. Qeveria i ekzekuton të hënën

Fitorja e Kosovës ndaj Sllovakisë do të shpërblehet nga Qeveria. Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka bërë të ditur se Qeveria do të procedojë me vendimin për ndarjen 500 mijë euro për “Dardanët”.

Në një njoftim të publikuar në Facebook ai theksoi se me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, vendimi për ndarjen e 500 mijë eurove do të jetë gati për miratim në mbledhjen e radhës së Qeverisë, të hënën.

“Me kërkesë të Kryeministrit, vendimin për ndarjen e shpërblimit prej 500k euro për fitoren e mbrëmshme të Dardanëve do ta kemi gati për miratim të hënën në mbledhje të Qeverisë”, ka shkruar Murati.

Kurti pati premtuar shpërblim qysh në nëntor nëse Kosova do ta fitonte ndeshjen me Sllovakinë.

Në finale, e cila do të zhvillohet të martën, Kosova do të ballafaqohet me Turqinë në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Exit mobile version