Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar viktimat e masakrave të kryera më 26 mars 1999 në disa lokalitete të vendit, duke theksuar nevojën për drejtësi dhe përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës.
Në një postim me rastin e 27-vjetorit, Kurti nderoi kujtimin e të vrarëve në Krushë të Madhe, Krushë të Vogël, Suharekë, Padalishtë, Landovicë dhe Gjakovë, duke rikujtuar shifrat e rënda të viktimave civile.
“Sot kujtojmë me dhimbje 243 civilët e vrarë në Krushë të Madhe dhe 113 në Krushë të Vogël, më 26 mars 1999. Forcat e armatosura të Serbisë zhdukën me dhunë 64 krushjanë, ndërsa dogjën mbi 700 shtëpi, bashkë me institucione fetare e kulturore”, ka shkruar Kurti.
Ai përmendi gjithashtu masakrat në zona të tjera, duke theksuar se “nuk i harrojmë 48 anëtarët e familjes Berisha në Suharekë, 19 anëtarët e familjes Imeraj në Padalishtë, si dhe 23 të vrarët në Landovicë e gjashtë të vrarët në Gjakovë”.
Sipas tij, këto krime përbëjnë dëshmi të qarta të gjenocidit në Kosovë. “Këto vrasje e zhdukje me dhunë janë dëshmi të fuqishme të gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Përballë këtyre krimeve, ka vetëm një përgjigje dinjitoze: të vihet në vend drejtësia si imperativ moral, juridik dhe historik”, theksoi ai.
Kurti shtoi se Republika e Kosovës ka përgjegjësi të dyfishtë – ndaj së kaluarës dhe së ardhmes. “Ndaj së kaluarës, duke dokumentuar e kërkuar llogari për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë. Ndaj së ardhmes, duke u angazhuar për paqe të qëndrueshme dhe për jetë më të mirë për brezat e rinj”, u shpreh ai.
Ai bëri thirrje për unitet dhe përkushtim ndaj vlerave të Republikës.
“Me zemrat e mbushura plot dashuri, respekt dhe krenari, përkulemi sot e gjithmonë para kujtimit të të gjithë të vrarëve tanë. Rënien e tyre me flijim e me sakrificë, e kemi udhërrëfim. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, shtoi ai.

