Para një ndeshjeje me peshë të jashtëzakonshme në play-off-in e Kupës së Botës, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka dhënë një mesazh të fuqishëm për skuadrën dhe tifozët.
“Nga fushat e Superligës së Kosovës, te majat e futbollit ndërkombëtar, djemtë tanë janë dëshmi e punës, përkushtimit dhe besimit në ëndërr. Sot, në Bratislavë, ata janë vetëm dy hapa larg historisë së madhe,” theksoi Ademi.
Ai nënvizoi se rruga për të arritur deri këtu nuk ka qenë e lehtë, por zemra dhe karakteri i lojtarëve nuk janë lëkundur kurrë.
“Këta janë Dardanët tanë të Superligës, të rritur me sakrificë, por të bashkuar për Kosovën. Vazhdojmë bashkë, drejt ëndrrës!” përfundoi kryetari i FFK-së.
Ky mesazh motivues vjen në momentin kur Kombëtarja e Kosovës kërkon të shkruajë një kapitull të ri në historinë e saj, duke u përballur me Sllovakinë në një sfidë që mund të hapë dyert për debutimin në Kupën e Botës.

