Kosovë Lajme

Tahiri: Kosova po fle, Qeveria të marrë urgjentisht masa për përballimin e krizës dhe rritjen e çmimeve

Besnik Tahiri nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka ngritur shqetësime për, siç ka thënë ai, mungesën e veprimeve nga ana e institucioneve vendore për përballimin e krizës ekonomike dhe rritjes së çmimeve, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga Qeveria.

Në një postim në Facebook, Tahiri ka thënë se gjendja ekonomike në vend është alarmante, teksa ka kritikuar ekzekutivin për mungesë reagimi konkret.

“Rajoni vepron, Evropa ndërhyn, Kosova pse po fle? Qeveria e Kosova duhet urgjentisht, që nga nesër, të marrë masa konkrete për të përballuar krizën e rëndë ekonomike dhe rritjen e çmimeve. Gjendja është alarmante”, ka shkruar ai.

Tahiri ka bërë krahasime me vendet e rajonit, duke thënë se Maqedonia e Veriut, pavarësisht se ka çmime më të ulëta të derivateve, ka paralajmëruar masa të reja për të zbutur ndikimin e krizës tek qytetarët.

Po ashtu, ai ka përmendur edhe Shqipërinë, ku kryeministri Edi Rama ka deklaruar ndërhyrje për uljen e çmimeve dhe përgatitjen e masave konkrete.

“Maqedonia e Veriut edhe pse ka çmimet më të ulëta të karburanteve në rajon (1.50 euro), 20 cent ma lirë se në Kosovë, ka paralajmëruar masa të reja për të mbrojtur qytetarët nga kriza. Në Shqipëri, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do të ndërhyhet për uljen e çmimeve, gjithashtu po përgatitet për masa konkrete”, është shprehur ai.

Në nivel evropian, Tahiri solli si shembull Spanjën, e cila tashmë ka miratuar një paketë prej 5 miliardë eurosh për të përballuar krizën. Sipas tij, kjo paketë përfshin uljen e TVSH-së për karburantet, subvencione për çdo litër, si dhe mbështetje për familjet dhe bizneset.

Exit mobile version