Shqipëri

Anulohet tenderi 400 mln euro për portin e ri në Porto Romano, Karakaçi: Kompania u tërhoq, ka përpjekje për të sabotuar projektin

Ata që s’po lënë gurë pa luajtur për ta bllokuar projektin, i kam bërë llogaritë gabim, sepse projekti do bëhet”, tha Rama më 9 mars. Dy ditë pas kësaj deklarate të kryeministrit Edi Rama, njoftohet se tenderi për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi ka deklaruar se konsorciumi i vetëm i mbetur në garë është tërhequr, me argumentin se i janë rritur kostot.
“Kemi një tërheqje të ofertuesit të vetëm në këtë garë me një atyre krejtësisht ekonomike për shkak të rritjes së kostove nga kriza. Ofertuesi ka bërë një tërheqje duke u justifikuar me qëllimet ekonomike”, tha Karakaçi.

Në fakt arsyeja ekonomike e ngritur si argument për tu tërhequr nga gara nuk duket bindëse. Konsorciumi kishte kërkuar në janar zgjatje e afatit deri më 9 mars për të paraqitur një ofertë teknike dhe tregtare gjithëpërfshirëse.

Duke konfirmuar deklarimet e kryeministrit për përpjekjet për ta penguar realizmin e projektit, Karakaçi tha se: Do të ndërtojmë një skenar tjetër dhe çdo aktor tjetër nuk do të mundet ta frenojë këtë projekt.
Pak ditë më parë, një email dërguar autoriteteve shqiptare, përfshirë kryeministrin Rama, nga presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë Grant Van Cleve, ngrinte shqetësime serioze lidhur me përmasat dhe kapacitetet përpunuese të portit të ri dhe kërkonte kryeministri Edi Rama bllokimin e procedurës së tenderimit.

Ndërtimi i Portit të ri ishte parashikuar në dy faza. Në ndryshim nga Porti i Durrësit ai ofron një thellësi më të madhe të ujërave në basen, duke lejuar ankorimin e anijeve më të mëdha dhe me një ngarkesë më të madhe. Vetëm në fazën e parë parashikohet përpunimi i 500 mijë kontejnerëve, nga afro 180 mijë që përpunohen tani në Portin aktual.
Tenderi për këtë projekt, 393 milionë euro pa TVSH ka dështuar disa herë. Në garën e hapur në dhjetor të 2024-ës, u paraqitën 5 konsorciume dhe vetëm njëra prej tyre kaloi në fazën finale për të paraqitur një ofertë teknike dhe ekonomike. Një nga kandidatët bëri kallzim në Prokurorinë e Posaçme. Dy javë më parë, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan në zyrat e Autoritetit Portual Durrës dhe sekuestruan të gjithë dokumentacionin e garës për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano.

Exit mobile version