Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka shprehur mendimin se presidentja Vjosa Osmani ka vepruar drejt me shpërndarjen e Kuvendit.
“Në këtë rast ndaj bindjen se presidentja Osmani ka vepruar drejt me shpërndarjen e Kuvendit për të rrallën herë në mandatin e saj”, ka thënë Mustafa për “VOX Kosova”.
Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës thekson se “te ne Kushtetuta lexohet me syza të ndryshme”, por megjithatë konsideron se “është mirë që të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht sulmeve që i bëhen kësaj gjykate”.
“Unë e shoh se Kushtetuta e përcakton qartë se presidenti zgjidhet më së largu 30 ditë pa skaduar mandati i presidentit aktual”, potencon ai, duke i dhënë të drejtë Osmanit për vendimin e saj.
Osmani, të premten, në një konferencë për media njoftoi se e ka shpërndarë Kuvendin, pasi seanca për zgjedhjen e presidentit të enjten ishte bojkotuar nga deputetët e opozitës, duke mos u arritur kuorumi i nevojshëm për nisjen e kësaj seance, akoma të papërmbyllur. Pavarësisht se pjesëmarrja në këtë seancë është obligative, në sallë ishin të pranishëm vetëm 66 deputetë, kur kërkohen të jetë së paku 80.
Vendimi i Osmanit për të shpërbërë Kuvendin e Kosovës u kritikua gjerë si i nxituar, arbitrar dhe kundërkushtetues. Dekreti është tashmë i kontestuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila duhet ta thotë fjalën e fundit rreth kësaj çështjeje.

