Kosovë Lajme

Osmani dekreton Buxhetin 2026

Presidentja Vjosa Osmani ka dekretuar Ligjin për Buxhetin 2026, ka konfirmuar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.

Kupina ka thënë për KOHËN se presidentja e “ka dekretuar Ligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026” të premten.

Buxheti 2026 u miratua më 20 shkurt nga Kuvendi. Ai kap vlerën e rreth 4 miliardë eurosh. Për buxhetin votuan për 62 deputetë, ndërsa 36 kundër. Buxheti nuk u përkrah nga opozita.

Buxheti në lexim të parë u kritikua nga opozita për mosreflektim të strukturës së re qeverisëse dhe mospërfshirje të zotimeve të kryeministrit Albin Kurti, të paraqitura në ekspozenë e tij ditën e formimit të Qeverisë. Por, Kurti premtoi se kjo do të reflektohet me rishikim të buxhetit.

Buxheti parasheh që shpenzimet të jenë afro 4 miliardë euro, apo rreth 330 milionë euro më shumë sesa të hyrat e planifikuara për 2026-n.

Vetëm për subvencione dhe transfere do të shkojë 34 për qind e buxhetit, përkatësisht 1 miliard e 358 milionë euro.

E, për investime kapitale janë paraparë rreth 1 miliard euro. Ndërkaq, rreth 980 milionë euro janë planifikuar për paga dhe shtesa, shumë kjo që do të shënojë rritje për afro 64 milionë euro.

Buxheti projekton edhe rritjen e të hyrave. Në 2026-n parashihet që shteti të arkëtojë 3 miliardë e 637 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e shpenzimeve do të mbulohet me kredi dhe deficit.

Ligji tani pritet të publikohet në Gazetën Zyrtare për të hyrë në fuqi.

Exit mobile version