Kosovë Lajme

Deklaratat e ish-krerëve të UÇK-së pas orës 13:00

Procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po hyn në fazën përfundimtare.

Sot para Dhomave të Specializuara në Hagë do të paraqiten deklaratat përmbyllëse në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Seanca tashmë ka filluar dhe pritet të përfundojë pas orës 16:00.

Gjyqtari Charles Smith bëri të ditur të akuzuarit dp të japin deklaratat e tyre pas kohës së drekës, pas orës 13:00.

“Të akuzuarit deklaratat e tyre do të japin pas pushimit të drekës në mënyrë që të mos ndërpriten dhe të kenë vëmendjen e të gjithëve”, tha Smith.

Ndryshe, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat sipas Prokurorisë së Specializuar, lidhen me periudhën e luftës në Kosovë, 1998–1999.

Ata akuzohen se kanë qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”.

Katërshja e UÇK-së i ka mohuar vazhdimisht, ndërsa janë deklaruar të pafajshëm.

Ndryshe, të martën në Kosovë, u organizua një marsh në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Marshi u organizua nga platforma “Liria ka emër”.

Sipas organizatorëve, mbi 130 mijë qytetarë morën pjesë në marsh, duke mbushur sheshet e kryeqytetit dhe duke dërguar mesazhin për drejtësi të paanshme dhe mbrojtje të dinjitetit të luftës çlirimtare.

Nis seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në Hagë

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë mbahet seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në gjyqin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi.

Në gjashtë seancat paraprake fjalët përmbyllëse i kanë shpalosur prokurorët, ekipet mbrojtëse dhe mbrojtësi i viktimave dhe më pas trupi gjykues ka parashtruar pyetje ndaj palëve.

Siç u bë e ditur në seancën paraprake të mbajtur të hënën, sot mbrojtësi i viktimave Simon Laws do të ketë radhën.

Edhe katër të akuzuarit kanë të drejtën që të deklarohen sot para trupit gjykues.

Të pranishëm në Hagë në seancën e fundit janë edhe familjarët e të akuzuarve si dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, që përfaqëson Qeverinë e Kosovës.

Para seancës, Konjufca tha se gjykata ka shkelur të drejtën e të akuzuarve për gjykim në kohë të arsyeshme, pasi ata për më shumë se pesë vjet mbahen në Hagë.

Ai e cilësoi gjykatën si “njëentike që fokusin e kishte padrejtësisht në UÇK”.

“Unë jam këtu për të konfirmuar se lufta jonë ishte e drejtë, e pastër, mbrojtëse, nuk ka qenë luftë kandër asnjë populli tjetër. Targeti i vetëm i uniformave të UÇK-së ishte policia dhe ushtria serbe”, tha ai.

Konjufca shtoi se shpreson që “verdikti të jetë në përputhje me historinë dhe lavdinë e UÇK-së”.

Ish-eprorët e UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat janë deklaruar të pafajshëm.

Seanca e sotme mbahet një ditë pasi mijëra qytetarë, në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u mblodhën në Prishtinë në mbështetje të katërshes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për të kërkuar gjykim të drejtë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar 45 vjet burgim për secilin, kërkesë që nga ekipet mbrojtëse është cilësuar si burgim i përjetshëm.

Exit mobile version