Mediumi i njohur britanik BBC, ka shkruar për një ngjarje tragjike e cila ka ndodhur të dielen në Londër, ku një i ri shqiptar u ther për vdekje.
22 vjeçari Lorik Abazi, rezulton të jetë nipi i këngëtarës së njohur kosovare Ganimete Abazi-Ganja, për vdekjen e të cilit ajo njoftoi mbrëmë.
Detaje tragjike janë zbuluar sot, ku i riu ishte gjetur i plagosur në Hesterman Way, të dielën dhe, pavarësisht përpjekjeve mjekësore, vdiq në spital.
Pas ngjarjes, dy vajza, të dyja 25 vjeçare, dhe një djalë 28 vjeçar u arrestuan si të dyshuar për vrasje. Njëra nga vajzat u lirua me kusht, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Kryeinspektori Nick Blackburn ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen e Lorikut, duke thënë:
“Mendimet e mia janë me familjen dhe të dashurit e Lorikut, të cilët kanë pësuar një humbje të paimagjinueshme.”
Tutje në artikullin e BBC-së, shkruan se familja e tashmë të ndjerit e ka shpërndarë një deklaratë prekëse, duke përshkruar të riun si “një person të kujdesshëm, të zgjuar, me një sens të bukur humori dhe me një të ardhme të ndritur përpara, por që iu pre në mes”.

