Me 6 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim, Komisioni për buxhet e ka miratuar në parim projektligjin për ndarjen buxhetore për vitin 2026.
Ministri i Financave Hekuran Murati ka kërkuar nga deputetët anëtarë të Komisionit që ta procedojnë sa më shpejt projektligjin në Kuvend për shkak të afatit të shkurtër për miratim.
Ai ka thënë se është me rëndësi që deri në fund të muajit, Ligji për buxhetin të jetë në fuqi.
“Përkundër zgjatjes së muajit mars, për të cilën ju falënderoj për miratimin në seancë të rregullt, disa prej shpenzimeve, siç e theksova, kanë tejkaluar 1/12-ën e ndarjes. Pra është dashur që pagesat e janarit të janar-shkurtit të bëhen mbi bazën bazike, është dashur të marrim alokim paraprakisht nga shkurti. Tani në shkurt do të marrim alokim paraprakisht nga marsi. Pra nuk është se janë tre muaj për këtë plotësim, sepse ka pasur ndryshime tek pagat”, ka theksuar Murati.
“Pozicioni i parë në buxhetin e vitit 2026 ka pasur rritje prej 55 eurove të koeficientit të pagave, gjë që nuk është reflektuar, pra janari i 2026-ës nuk është i barabartë me janarin e 2025-ës, është për 55 euro më i lartë për secilin koeficient. Prandaj është e nevojshme të sillet sa më shpejt kjo balancë dhe jo domosdo janë tre muaj zgjatje tek shpenzimet e tjera, ashtu siç u tha. Prandaj për ne është tepër e rëndësishme që deri në fund të muajit, sepse kur shkojmë prapa prej fundit të shkurtit, ne e dimë që aty ka disa afate procedurale që Presidentja i ka 8 ditë apo 15 ditë për ta nënshkruar”, ka shtuar ai.
Anëtari i Komisionit nga radhët e PDK-së Kujtim Gashi kërkoi që ligji të shqyrtohet në procedurë të rregullt në mënyrë që të ketë më pas diskutime dhe të jetë mundësia që deputetët të bëjnë amandamentim.
“Në parim jemi për, me shpresën që nuk do të ketë procedura të shpejtuara për rishikimin e buxhetit”, tha Gashi.
Në këtë mbledhje komisioni ka miratuar edhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër” në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për zhvillim, atë për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, punës dhe transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim për projektin “kompas” – qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë, Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e financave, punës dhe transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim (anzh) për projektin “edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës” si dhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “instrumentin për reforma dhe rritje për Ballkanin perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si huadhënës, dhe Kosovës si huamarrës dhe bankës qendrore të Kosovës si agjent i huamarrësit.
Komisioni për Integrime Evropiane ka miratuar Projektligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje.
Ministri i Financave, Hekuran Murati e ka prezantuar marrëveshjen para anëtarëve të këtij komisioni, duke thënë se nga instrumenti për reformat dhe rritjen, parashihet që Kosova të përfitojë gjithsej 882.16 milionë euro.
“Nga instrumenti për reformat dhe rritjen, parashihet pra të përfitohen gjithsej 882.16 milionë euro. Prej të cilave 253.3 milionë janë grante, pra 1/3-ta është grant, ndërkaq pjesa tjetër prej 629.3 milionë euro do të jetë kredi, që do të ratifikohet me një marrëveshje të veçantë”, tha ai.
Murati në fjalën e tij tha se Kosova ka qenë ndër shtetet e para që ka finalizuar agjendën e reformave dhe kjo është arritur brenda afatit fillestar të vendosur nga Komisioni Evropian.
“Qëllimi i marrëveshjes kornizë, pra teksti i së cilës është standard për të gjitha shtetet përfituese, është që të krijohet baza e përgjithshme kontraktuale që mundëson që Kosova të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian të ofruara në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje. Kurse qëllimi i marrëveshjes për kredinë, është që të rregullojë kushtet të ndërlidhura specifikisht për marrjen e pjesës së fondeve të BE-së të ofruara si kredi dhe mënyrën e menaxhimit të tyre, por kjo është pra një marrëveshje e veçantë”, tha ai.
Mblidhen dy komisione të Kuvendit, shqyrtojnë buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare
Dy komisione të Kuvendit të Kosovës, ai për buxhet, punë dhe transfere si dhe Komisioni për integrimet evropiane do të mblidhen sot për herë të parë pas formimit.
Komisioni për Buxhet punë dhe transevere ka në rend dite shqyrtimi në parim të Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 si dhe projektligjet për katër marrëveshje ndërkombëtare.
Në mbledhjen e thirrur për në orën 12 ky komision do të shqyrtojë Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit, për programin e parë për “financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër” në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Asociacionit Ndërkombëtar për zhvillim, atë për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, punës dhe transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim për projektin “kompas” – qasja gjithëpërfshirëse e Kosovës për forcimin e sistemit të shëndetësisë, Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjen e kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e financave, punës dhe transfereve, dhe asociacioni ndërkombëtar për zhvillim (anzh) për projektin “edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës” si dhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për “instrumentin për reforma dhe rritje për ballkanin perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si huadhënës, dhe Kosovës si huamarrës dhe bankës qendrore të Kosovës si agjent i huamarrësit.
Ndërsa Komisioni për Integrime Evropiane, do të mblidhet në orën 11:30 dhe do ta shqyrtojë Projektligjit për ratifikimin e “Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit për reforma dhe rritje”.

