Sot në Prishtinë po mbahet protesta kundër kërkesës KESCO-s për rritje të tarifave të energjisë elektrike.
Protestuesit nga ndërtesa e KEDS-it ku janë mbledhur fillimisht kanë marshuar drejt ndërtesës së Qeverisë.
“Nuk e durojmë ma hajninë”, “Nuk sakrifikojmë na për KEDS-in”, “Nji popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, “Stop hajnisë me fatura t’rrymës”, “Rryma rritet, populli djeget”, “KEDS-i na len n’terr e na vjedhë”, janë disa nga pankartat që kanë mbajtur në duar. Ato i kanë vendosur në shkallët e ndërtesës së Qeverisë dhe pas kësaj protestuesit janë shpërndarë.
Gjatë kohës sa protestuesit kanë qenë te ndërtesa e KEDS-it kanë hedhur tym të kuq dhe Policia e ka arrestuar një të moshuar që ishte në protestë.
Protesta është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, në bashkëpunim me organizatën “Përpjekja”. Ajo do të fillojë pranë ndërtesës së KEDS-it dhe pritet të përfundojë te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
Aktivistja Qendresa Hyseni ka thënë se protesta është mjet për ta parandaluar rritjen prej 21.3 për qind të tarifave të energjisë elektrike, të kërkuar nga KESCO-ja. Ajo ka paralajmëruar se miratimi i kësaj kërkese nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) do të ketë ndikim në koston e jetës së qytetarëve.
Kundër kërkesës së KESCO-s për rritje të tarifave të energjisë elektrike ka reaguar të enjten edhe Rinia e Partisë Demokratike (PDK), nëpërmjet një aksioni simbolik të zhvilluar para objektit të Ministrisë së Ekonomisë. Me moton “Energjia nuk është luks”, aktivistë të rinisë së PDK-së kanë protestuar duke bartur në duar nga një faturë të rrymës.
Pas shqyrtimit të kërkesës së KESCO-s, ZRRE-ja pritet që në mars të marrë vendim nëse do të ketë rritje të tarifave të rrymës apo jo.

