Pasi e humbi mundësinë që të avanconte direkt në një të tetën e finales së Ligës së kampionëve, Real Madridi e mësoi fatin në shortin e tërhequr në Nyon të Zvicrës të premten.
Rrugën për në Budapest të Hungarisë në finalen e 30 majit, Real Madridi duhet ta vazhdojë nëpërmjet kundërshtarit të njëjtë që e kishte në xhiron e fundit të fazës së ligës – ndaj Benficas.
15 herë kampioni i Evropës u mposht 4:2 nga Benfica të mërkurën mbrëma, në ndeshjen ku portieri Anatoliy Trubin, realizoi në minutën e tetë të kohës shtesë.
Do të jetë tjetër përballje e ish-trajnerit, Jose Mourinhos, me ish-skuadrën, Real Madridin.
Ndërkohë, Paris Saint-Germaini do ta vazhdojë mbrojtjen e trofeut në plejofin e fazës nokaut me ndeshjet që do t’i ketë ndaj Monacos.
Është e vetmja përballje ku kundërshtarët janë të një shteti.
Ndeshjet e para do të luhen më 17 apo 18 shkurt, kurse ato kthyese pas një jave.
Sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Giorgio Marchetti, ka mbajtur një fjalim para nisjes së tërheqjes së shortit.
Ai e ka përmendur golin e shënuar nga Anatoliy Turbin, portieri i Benficas, që e shënoi golin e fitores 4:2 ndaj Real Madridit në minutën e 98-të. Me atë gol, Benfica e siguroi avancimin në plejofin e fazës nokaut.
“Nëse goli i 487-të dhe i fundit i fazës së ligës shënohet nga një portier në minutën e 98-të për ta dërguar ekipin e tij tutje…, nuk kam fjalë”, ka deklaruar Marchetti.
Pas tij në skenë është ftuar legjenda e Arsenalit dhe Francës, Robert Pires.
Edhe Pires ka theksuar se ndeshjet e së mërkurës mbrëma ishin të zjarrta.
Më pas UEFA ka vazhduar me procedurën e tërheqjes së shortit.
Pas përfundimit të ndeshjeve të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve, në Nyon të Zvicrës ka nisur tërheqja e shortit për ndeshjet e plejofit të fazës nokaut.
Bartës të shortit të premten në Champions janë Real Madridi, Interi, PSG-ja, Newcastle, Juventusi, Atletico Madridi, Atalanta dhe Leverkuseni. Ndërkohë, ekipet jo bartëse në short janë Dortmundi, Olympiacosi, Club Brugge, Galatasaray, Monaco, Qarabagu, Bodo/Glimti dhe Benfica.
Në short janë të përfshirë skuadrat që kanë përfunduar nga vendi i nëntë deri në vendin e 24-t në fazën e ligës.
Tetë skuadrat e para të fazës së ligës avancuan direkt në një të tetën e finales. Ato janë Arsenali, Bayern Munichu, Liverpooli, Tottenhami, Barcelona, Chelsea, Sportingu dhe Manchester City.
Bartës të shortit të premten në Champions janë Real Madridi, Interi, PSG-ja, Newcastle, Juventusi, Atletico Madridi, Atalanta dhe Leverkuseni. Ndërkohë, ekipet jo bartëse në short janë Dortmundi, Olympiacosi, Club Brugge, Galatasaray, Monaco, Qarabagu, Bodo/Glimti dhe Benfica.
Klubet e vendit të nëntë dhe të dhjetë do të kenë përballë ekipet e vendit 23 apo 24. Klubet e pozitës 11 apo 12 do të luajnë ndaj klubeve të vendit 21 apo 22, ekipet e renditura në vendin e 13 apo 14, do të luajnë ndaj ekipeve të vendeve 19 apo 20 dhe klubet e vendeve 15 apo 16, ndaj klubeve të vendeve 17 apo 18.
Tetë skuadrat që avancojnë nga plejofi i fazës nokaut, do t’u bashkohen skuadrave që janë kualifikuar direkt në 1/8 e finales. Më pas nëpërmjet shortit më 27 shkurt, do të mësohet edhe rruga drejt finales, që më 30 maj luhet në Budapest të Hungarisë.

