Lajme Maqedoni

Astrit Iseni: Zero tolerancë ndaj korrupsionit, institucionet vepruan brenda 24 orësh në rastin e Gjykatës së Gostivarit

Ministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka vlerësuar lart punën profesionale, të shpejtë dhe të përgjegjshme të inspektorëve të organeve të rendit lidhur me dyshimet për mito dhe korrupsion në Gjykatën Themelore të Gostivarit.

Sipas Isenit, brenda më pak se 24 orësh nga paraqitja e dyshimeve, personi i dyshuar është marrë në pyetje, çka sipas tij dëshmon se institucionet veprojnë pa hezitim dhe pa dallime. Ai theksoi se ky rast është një mesazh i qartë se ligji vlen për të gjithë dhe se çdo dyshim për korrupsion trajtohet me seriozitet maksimal deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe përcaktimin e përgjegjësisë ligjore.

Ministri Iseni nënvizoi se korrupsioni nuk ka vend në shoqërinë moderne, duke theksuar parimin e tolerancës zero ndaj individëve që dëmtojnë qytetarët dhe buxhetin e shtetit përmes abuzimit me detyrën zyrtare. Ai shtoi se sundimi i ligjit forcohet përmes veprimeve konkrete dhe jo vetëm me deklarata.

Në të njëjtën kohë, Iseni shprehu falënderim dhe vlerësim për gazetarin dhe redaksinë që, përmes punës profesionale dhe gazetarisë hulumtuese, kontribuuan në zbardhjen e këtij rasti. Sipas tij, media e lirë dhe përgjegjëse mbetet një aleate kyçe në luftën kundër korrupsionit dhe në mbrojtjen e interesit publik.

Ministri i Punëve të Brendshme inkurajoi gazetarët që të vazhdojnë hulumtimet me integritet dhe pa frikë, duke garantuar se çdo investigim serioz do të trajtohet me vëmendje dhe përgjegjësi të plotë nga institucionet përkatëse. Ai theksoi se transparenca dhe llogaridhënia ndërtohen përmes bashkëpunimit të ndershëm ndërmjet mediave dhe shtetit./press7.tv

Exit mobile version