Kosovë Lajme

Dogana: Afër 2 miliardë euro të hyra dhe performancë rekord në 2025

Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka shënuar vit historik në 2025-tën, duke realizuar performancë rekord si në të hyrat buxhetore, ashtu edhe në forcimin e sigurisë dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2025 janë mbledhur gjithsej 1 miliard e 968 milionë euro të hyra, duke tejkaluar projeksionet fillestare dhe duke shënuar rritje prej 8 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Një kontribut i rëndësishëm thuhet se është dhënë edhe për sektorin prodhues vendor dhe lehtësimin e tregtisë, përmes 413 milionë eurove lirime doganore, të realizuara për prodhuesit vendorë dhe në kuadër të marrëveshjeve të tregtisë së lirë. Këto masa bëhet e ditur kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin ekonomik.

Sa i përket luftës kundër krimit dhe kontrabandës, thuhet se janë zbuluar dhe sekuestruar mallra kontrabandë në vlerë prej 18.6 milionë euro.

Viti 2025 është shënuar edhe me hapa në digjitalizim, përfshirë fillimin e përdorimit të Inteligjencës Artificiale dhe sistemeve Track & Trace, me synim rritjen e transparencës, efikasitetit dhe kontrollit doganor.

Sa i përket tregtisë ndërkombëtare, Gjermania vazhdon të mbetet partneri kryesor tregtar i Kosovës, me mbi 1 miliard euro vëllim tregtie, ndërsa eksportet drejt Shqipërisë kanë shënuar rekord historik prej 156 milionë eurosh.

Exit mobile version