Kosovë Lajme

Abdixhiku “i qet paret”, i premton 1.5 miliardë euro për kryeqytetin

Në një mesazh politik të shpërndarë nga Bregu i Diellit, të shoqëruar me një video të publikuar në Facebook nga kryetari i LDK-së, njëherësh kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku, theksohet se Prishtina meriton një Qeveri që e ndihmon dhe e zhvillon, e jo një që e bllokon.

Në përshkrimin e videos përmendet edhe shifra prej 1.5 miliardë eurosh si investim i nevojshëm për kryeqytetin.

“Nga Bregu i Diellit: Prishtina e meriton një Qeveri që nuk e bllokon, nuk e saboton, por e ndihmon. E zhvillon. ‘Qiti paret’; plot 1.5 miliardë euro për Kryeqytetin tonë”, ka shkruar Abdixhiku.

Në tubimin partiak në Prishtinë, kryetari i komunës, Përparim Rama, ka thënë se me Lumir Abdixhikun kryeministër, sipas tij, nuk do të kishte nevojë për thirrje publike për lirimin e mjeteve financiare.

Me Lumirin kryeministër nuk kemi nevojë të themi ‘qiti paret’. I qet paret me kënaqësi sepse e do Prishtinën, e do Kosovën”, është shprehur Rama.

Me këtë deklaratë ai rikujtoi akuzat e tij të mëhershme ndaj Ministrisë së Financave, për të cilën thoshte se ka mbajtur jashtëligjshëm 35 milionë euro, mjete të cilat i kërkonte duke thënë “qiti paret ministër”.

https://www.facebook.com/watch/?ref=embed_video&v=1179253537719782

Exit mobile version