Kosovë Lajme

Osmani kërkon formimin e Komisionit për Buxhet e Financa për pagat në RTK

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar me një letër kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, duke kërkuar formimin urgjent të Komisionit për Buxhet dhe Financa, pas alarmit të ngritur nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së për mosmarrjen e pagave nga mbi 700 punonjës të transmetuesit publik.

Osmani thekson se pengesa kryesore për pagesën e pagave është mungesa e këtij komisioni, i cili sipas Ligjit për Ndarjet Buxhetore për vitin 2025, është organi i vetëm që mund të marrë vendimin për alokimin dhe transferimin e mjeteve financiare në llogarinë e RTK-së.

Pa funksionalizimin e tij, procedimi i mjeteve është bllokuar, duke krijuar – siç e përshkruan presidentja – “një situatë të rëndë sociale” për qindra familje.

Presidentja i ka bërë thirrje të gjitha grupeve parlamentare që të gjejnë kompromisin e nevojshëm dhe të formojnë sa më shpejt komisionet e përhershme të Kuvendit, duke e konsideruar këtë çështje urgjente dhe të domosdoshme për garantimin e pagave të punëtorëve të RTK-së.

Në letrën e saj, Osmani thekson se vonesat po rrezikojnë stabilitetin institucional dhe financiar të vendit dhe apelon që deputetët e legjislaturës sënNëntë të ndërmarrin hapat e nevojshëm për zhbllokimin e procesit.

“Është detyrë ndaj qytetarëve dhe një nevojë jetike që këto procese të mos vonohen më tej”, përfundon presidentja në thirrjen drejtuar kryetarit të Kuvendit.

Punëtorët e RTK-së kanë paralajmëruar grevë të hënën në rast se pagat nuk u ekzekutohen.

Exit mobile version