Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci ka përshëndetur dorëheqjen e kryetarit të deritashëm të PDK-së, Memli Krasniqi.
Lladrovci ka thënë se të jesh lider i PDK-së do të thotë të jesh përbashkues.
Ai në një postim në Facebook ka konfirmuar tutje se pasues i Krasniqit do të jetë Bedri Hamza.
“Përgëzoj strukturat e PDK-së për mbështetjen që ma kanë dhënë në çdo situatë, me besimin e plotë se do të bëhet mirë. Falënderim i veçantë shkon për qytetarët e komunës së Drenasit, të cilët besuan në zotimin tim se s’ka bir nane që më largon nga PDK-ja. Besimi im në sinqeritetin e anëtarësisë, ashtu dhe udhëheqësve të PDK-së, ka qenë i madh. Ky hap i pritshëm i kryetarit të deritashëm, Memli Krasniqi do përshëndetur, njëherësh, duke i ofruar fuqishëm përkrahje kryetarit në ardhje, Bedri Hamza”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka thënë se “të jesh lider i partisë që buroi nga Drejtoria Politike e UÇK-së, është përgjegjësi e madhe, përgjegjësi për ta dërguar shtetin në nivel më të lartë, sinqerisht, me tërë forcat përparimtare të vendit. Partia Demokratike është vet liria dhe shteti i Kosovës”.
Lladrovci tutje ka thënë se PDK-ja është parti e liderëve të luftës dhe paqes.
“Të jesh lider i Partisë Demokratike të Kosovës, do të thotë të jesh shtetformues e shtetndërtues, gjithëpërfshirës e përbashkues, trim dhe i drejtë, largpamës e vizionar, burrështetas dhe lider në fjalë e vepra. Suksese të mëtejme parti e liderëve tanë të luftës dhe paqes, suksese PDK!”, ka shkruar ai.
Memli Krasniqi të mërkurën ka ofruar dorëheqje nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Ai ka njoftuar për dorëheqjen në një konferencë për shtyp të mërkurën, pas mbledhjes së Kryesisë.
Krasniqi ka thënë se ky është hap reflektimi dhe përgjegjësie për krijimin e një momentumi të ri për PDK-në.
PDK-ja nën udhëheqjen e Krasniqit nuk ia pati dhënë mundësinë për të garuar si kryetar i Drenasit edhe për një mandat, Ramiz Lladrovcit. Në Drenas PDK-ja ka garuar me Petrit Hajdarin për kryetar të komunës, porse zgjedhjet i fitoi Lladrovci.
