Kosovë Lajme

Albin Kurti uron fitoren e VLEN-it: Qeverisje me duar të pastra dhe frymë bashkëpunimi me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, duke uruar koalicionin VLEN për fitoren në dhjetë komuna të vendit.

Në një postim publik, Kurti ka vlerësuar suksesin e dy figurave kryesore të VLEN-it – Izet Mexhitit dhe Bilall Kasamit – duke theksuar se të dy kanë fituar me meritë përmes projekteve konkrete dhe qeverisjes së ndershme.

“Suksesi në zgjedhjet lokale është konfirmim i qeverisjes së mirë të VLEN-it, i vullnetit për ndryshim te shqiptarët dhe një shans i madh për reforma në Maqedoninë e Veriut,” ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se në 15 muajt e parë në pushtet, VLEN-i ka qeverisur pa korrupsion e skandale, duke vendosur një standard të ri etik në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Sipas tij, kjo frymë e re ka ndikuar pozitivisht edhe në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilat janë thelluar ndjeshëm përmes bashkëpunimit ndërqeveritar dhe menaxhimit të përbashkët të kufirit.

“Qeveria e Kosovës mirëpret zhvillimet demokratike në Maqedoninë e Veriut si një dëshmi e perspektivës evropiane të partnerit dhe aleatit tonë,” ka përfunduar Kurti./press7.tv

Exit mobile version