Kosovë Lajme Maqedoni

Vdekja e 25-vjeçares nga Kosova në Tetovë – Prokuroria thotë se s’bëhet fjalë për vepër penale

    Të dhënat fillestare nuk kanë treguar se 25-vjeçarja nga Kosova që u gjet e vdekur të mërkurën mbrëma në Tetovë të jetë vrarë.

    Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka thënë se megjithëse nuk ka indikacione për vepër penale, do të vazhdojnë hetimet dhe marrja në pyetje e disa personave.

    “Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë dje ka kryer ekspertizë në vendin ku është gjetur trupi i pajetë i një gruaje të re, si edhe në banesën me qira ku ajo kishte qëndruar. Po ndërmerren të gjitha veprimet për të hetuar shkaqet e vdekjes me kontrolle dhe ekspertiza të detajuara në vendngjarje, ndonëse të dhënat fillestare dhe gjurmët në terren nuk tregojnë se bëhet fjalë për vdekje si pasojë e një vepre penale. Megjithatë, është urdhëruar obduksioni, do të merren në pyetje disa persona, ndërsa prokuroria dhe të gjitha organet hetimore po veprojnë intensivisht për të sqaruar shkaqet”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

    Të mërkurën u raportua se 25-vjeçarja ishte studente në Tetovë. Ajo u gjet nga kalimtarët në një rrugë.