Dy senatorë amerikanë kanë paralajmëruar një projekt-rezolutë të rëndësishme të titulluar “Akti i Demokracisë dhe Progresit në Ballkanin Perëndimor”.
Kjo nismë ligjore, e cila pritet të shqyrtohet në Senatin amerikan, synon të forcojë stabilitetin dhe demokracinë në rajon, duke i dhënë fund çdo ideje për ndryshim kufijsh apo ndarje të Kosovës.
Lidhur me këtë zhvillim, profesor, doktor Enver Bytyçi ka dhënë një prononcim për “Bota sot”, ku analizon rëndësinë e saj për paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor.
Bytyçi thotë se miratimi i kësaj projekt-rezolute do të përfaqësonte një garanci të fortë amerikane për stabilitet dhe siguri në rajon.
“Dy senatorë amerikanë kanë përgatitur para pak javësh një projekt-rezolutë, të titulluar: ‘Akti i Demokracisë dhe Progresit në Ballkanin Perendimor’ dhe e kanë dërguar për miratim në legjislativ. Nëse kjo projekt-rezolutë miratohet në Senat dhe nënshkruhet nga presidenti Donald Trump, atëherë sipas saj, rajoni ynë fiton garanci të plota për stabilitet, paqe dhe siguri. Kjo sepse pas saj SHBA-të përcaktohen ligjërisht për mosndryshimin e kufijve dhe mbështetjen e demokracisë në vendet e Ballkanit Perendimor, si mjete të këtij stabiliteti”, deklaron Bytyçi.
Bytyçi nënvizon se projekt-rezoluta përcakton qartë se territori i Kosovës nuk mund të tjetërsohet.
“Projekt-rezoluta specifikon edhe vendimin që territori i Kosovës të mos tjetërsohet. Në Beograd e gjetkë, por edhe nga disa shqip-folës ende pritet që politika amerikane e Donald Trump të angazhohet për ‘zgjidhjen’ e konfliktit midis Kosovës e Serbisë përmes ndarjes së Kosovës”, thekson ai.
“Ka prej atyre që hapur deklarojnë në ekrane televizive për opsionin e shkëmbimit të territoreve, madje e thonë këtë me mburrje gjithnjë në emër të lirisë së fjalës dhe të mendimit”, shton Bytyçi.
Profesori kujton një debat televiziv ku i ishte bërë një pyetje provokuese lidhur me ndarjen e Kosovës.
“Në një intervistë televizive moderatori më the njëherë se ‘Ti je për respektimin e territorit të Kosovës. Po sikur Donald Trump të dojë ta ndajë, kush do ta ndalojë’? Ishte një pyetje sa cinike dhe e pa shpresë. Natyrshëm më doli përgjigja: ‘Ata që janë të fuqishëm mund ta ndajnë Kosovën, por ka dy gjëra: unë nuk do jem kurrë dakord ta pranoj këtë ndarje dhe nuk duhet të ketë ndonjë lider shqiptar që ta nënshkruajë këtë”, rrëfen Bytyçi.
Sipas tij, projekt-rezoluta i jep fund përfundimisht spekulimeve për ndarje, shkëmbim apo korrigjim kufijsh.
“Projekt-rezoluta i jep fund spekullimeve. Nuk lejon më as të diskutohet mundësia e shkëmbimit të territoreve, ndryshimit apo korrigjimit të kufijve dhe ndarja e Kosovës. Kjo projekt-rezolutë vlen edhe për Republikën Srpska të Bosnjë-Hercegovinës, ku politikanët serbë kanë kërcënuar vazhdimisht për ndarjen nga shteti i DAYTON-it”, shprehet Bytyçi.
Ai shton se nisma e re do të ndihmojë në forcimin e unitarizmit shtetëror në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë.
“Në fakt unë pres forcimin e unitarizmit të shtetit të BH dhe të Kosovës. Heqjen e disa pengesave kushtetuese që ndikojnë negativisht në funksionimin e shtetit, si në politikat e brendshme edhe në ato të jashtme”, thotë Bytyçi.
“Departamenti i Shtetit Amerikan ka hequr sanksionet ndaj ish-presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik dhe shumë personaliteteve të tjera. Ky akt lidhet me angazhimin e tyre për të respektuar shtetësinë e Bosnjë-Hercegovinës dhe për ta forcuar atë.”
Profesori shpjegon se këto zhvillime lidhen drejtpërdrejt me politikën amerikane për stabilitet dhe siguri në rajon.
“Nuk ka asnjë mundësi që sanksionet ndaj Dodik të hiqeshin pa garanci në këtë drejtim, sepse politika e SHBA-ve është stabiliteti, paqja dhe siguria në Ballkan”, thekson ai.
Bytyçi beson se projekt-rezoluta e re do të miratohet dhe do të zbatohet me sukses.
“Nëse marrim parasysh këtë zhvillim, atëherë bëhet më e lehtë që projekt-rezoluta e dy senatorëve amerikanë për Ballkanin të miratohet dhe të zbatohet me sukses. Është pak e çuditshme se si Dodik mund të shkëputet aq lehtë nga ndikimi rus, por administrata e Trump ka bërë mrekulli më të mëdha sesa kjo”, shprehet Bytyçi.
Sipas tij, kjo nismë do të përcaktojë përfundimisht zonën e ndikimit perëndimor në rajon dhe do ta bëjë Kosovën qendër të interesave amerikane dhe evropiane.
“Nëse ndodh nënshkrimi i rezolutës nga presidenti Trump, atëherë vendoset përfundimisht trari i zonës së influencës përtej Ballkanit në drejtim të Lindjes. Në këtë kuptim, shtetësia e Kosovës merr formë përfundimtare dhe madje Kosova do të bëhet nyja e përfaqësimit të interesave amerikane dhe europiane në rajonin tonë”, nënvizon Bytyçi.
Në fund, profesori kujton edhe mesazhin që Donald Trump i kishte dërguar presidentes së Kosovës më 17 shkurt.
“Këtë besim ma përforcon fakti që presidenti Trump shprehej qartë më 17 shkurt të këtij viti në letrën drejtuar zonjës Osmani, duke mos e përmendur asnjëherë dialogun me Serbinë dhe duke theksuar marrëdhëniet e reja me SHBA-në në fushën e ekonomisë e të biznesit”, përfundon Prof. Dr. Enver Bytyçi.

