Lajme Rajon

Vuçiqi fajëson Turqinë për njohjen e Kosovës nga Siria

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar të enjten se vendimi i Sirisë për ta njohur pavarësinë e Kosovë ka qenë i pritshëm, duke pasur parasysh, sipas tij, që në Damask ka ardhur në pushtet një qeveri nën ndikimin e Turqisë.

Vuçiq ka thënë se ky vendim përmban “vulën turke” dhe shtoi se tani është e qartë sa ka vlejtur “qasja liberale e Bashar al-Asadit” sa ishte në pushtet.

Tani është bërë e qartë sa ka vlejtur për ne qasja liberale e Bashar al-Asadit kur ai ishte në krye të Sirisë. Është po ashtu e qartë se kur dikush vjen në pushtet nën ndikimin e madh të njërit prej shteteve kryesore të rajonit, siç është Turqia, nuk është e papritur që të ndodhin zhvillime të tilla”, ka thënë Vuçiq.

Tutje Vuçiqi ka thënë se “do të presë pak” teksa ka bërë një paralajmërim për 10 ditët e ardhshme.

“Në 10 ditët e ardhshme, edhe ne do të kemi diçka që do t’i bëjë të lumtur. Kjo është maratonë, jo garë 50-metërshe. Duke marrë në konsideratë se me kë jemi në garë, që janë më të fortit në botë, dhe që duan ta vjedhin tokën dhe territorin tonë, mirë po mbahemi”, ka thënë ai.

Siria u bë shteti i 120-të që njohu pavarësinë e Kosovës gjatë ditës së djeshme. Ministri i Jashtëm i Sirisë, Asaad Hassan Al-Shaibani, ia atribuoi meritat Turqisë për këtë njohje.

Exit mobile version