Kemi pasur qasje në draftin e raportit të progresit për Kosovën, në të cilin në shumicën e kapitujve flitet për një “progres të kufizuar”, për “njëfarë progresi”, e në disa raste edhe konstatohet se “nuk ka pasur progres“. Kosova më së shumti kritikohet për gjendjen në fushën e lirisë së shprehjes, ku nuk ka pasur progres, dhe për veprimet në veri, të cilat, konstatohet edhe në këtë raport, kanë qenë në kundërshtim me obligimet e Kosovës ndaj BE-së dhe me procesin e normalizimit të raporteve. Kjo periudhë është dominuar nga politika përçarëse e brendshme dhe fushata konfrontuese në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit 2025. Kjo u pasua me ngërç politik për shkak të paaftësisë apo mungesës së vullnetit të partive politike për të gjetur rrugëdalje drejt krijimit të institucioneve.
Kosova ka bërë kryesisht progres të kufizuar apo nuk ka pasur progres në periudhën njëvjeçare, dhe kjo kryesisht për shkak të polarizimeve politike të krijuara gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit si dhe ngërçit politik pas tyre. Ky, pak a shumë, do të jetë vlerësimi i Raportit të Progresit për Kosovën, i cili do të miratohet të martën, më 4 nëntor, nga Komisioni Evropian, në kuadër të paketës së zgjerimit.
KOHA ka pasur qasje në draftin e raportit për Kosovën, në të cilin në shumicën e kapitujve flitet për një “progres të kufizuar”, për “njëfarë progresi”, e në disa raste edhe konstatohet se “nuk ka pasur progres”. Kosova më së shumti kritikohet për gjendjen në fushën e lirisë së shprehjes, ku nuk ka pasur progres në implementimin e rekomandimeve nga raporti i mëparshëm, dhe për veprimet në veri, të cilat, konstatohet edhe në këtë raport, kanë qenë në kundërshtim me obligimet e Kosovës ndaj BE-së dhe me procesin e normalizimit të raporteve.
Nga leximi i parë mund të konstatohet se ky raport është më pak pozitiv sesa raportet e mëhershme për Kosovën, në të cilat kishte më shumë progres. Por raporti nuk do të jetë befasi për askënd, duke e ditur se në çfarë periudhe ka kaluar Kosova që nga fillimi i këtij viti.
Periudha që përfshin raporti ishte e ndikuar nga politika përçarëse e brendshme dhe fushata konfrontuese në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit 2025. Kjo u pasua me ngërç politik për shkak të paaftësisë apo mungesës së vullnetit të partive politike për të gjetur rrugëdalje drejt krijimit të institucioneve. Qeveria ishte me status të qeverisë në detyrë që nga 23 marsi, me vetëm funksione të limituara ekzekutive për të kryer punë ditore”, thuhet në draftin e raportit.
Në pjesën kur flitet për raportet e Kosovës me BE-në, përmendet se qytetarët e Kosovës tashmë gëzojnë liberalizimin e vizave, se Kosova ka miratuar edhe Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes. Por konstatohet se Kosova nuk ka pasur mundësi të përfitojë pagesat e para, për shkak se nuk ka qenë në gjendje të ratifikojë marrëveshjen përkatëse me BE-në për mjete dhe kredi.
Heqja e masave kur të transferohet pushteti lokal në veri
Po ashtu, thuhet se gjatë kësaj periudhe ka pasur vazhdim të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, për heqjen e të cilave Komisioni ka nisur të punojë nga muaji maj i këtij viti.
“Hapat e mëtejmë janë të kushtëzuar me deeskalimin e qëndrueshëm në veri. Komisioni ka qëllimin që të heqë më tej masat financiare nëse një transfer i rregullt i qeverisjes në veri do të arrihet pas rundit të dytë të zgjedhjeve lokale dhe deeskalimi të jetë i qëndrueshëm”, thuhet në tekst.
Një pjesë e madhe e raportit i kushtohet edhe këtë vit procesit të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, me ç’rast përsëritet se përmbushja e obligimeve nga ky dialog është parakusht si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, në procesin e integrimeve evropiane, por edhe për përfitime nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Në pjesën ku flitet për përmbushjen e obligimeve, përsëritet thirrja për Kosovën që të nisë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa për Serbinë që të njohë dokumentet dhe simbolet e Kosovës. Kërkohet që Kosova të nisë procedurën me shqyrtimin e “draftit evropian” për statutin e Asociacionit.
Në raport thuhet se progresi në normalizimin e raporteve është penguar edhe për shkak të situatës politike si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, si dhe nga mungesa e masave nga ana e Serbisë ndaj kryesve të sulmit në Banjskë, për të cilin në raport përsëritet se ka shënuar përshkallëzimin më të madh të sigurisë.
Përsëritet konstatimi se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës në vitin 2022 dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale nga ta në prill të vitit 2023 kishte shënuar „kthim të rëndë prapa“ në obligimet e Serbisë nga marrëveshjet e dialogut. Por edhe përshëndetet pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe në ato të fundit lokale, që shihen si fillim i kthimit të tyre në institucionet e Kosovës.
BE përsërit se kthimi i serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, përfshirë gjyqësorin dhe organet e rendit, duhet të bëhet në përputhje me marrëveshjet nga dialogu dhe me respektim të plotë të kornizës ligjore të Kosovës”, thuhet në tekst.
Po ashtu, kritikohet edhe angazhimi i Serbisë kundër Kosovës në forumet ndërkombëtare. Përsëritet thirrja për Kosovën dhe Serbinë që të zbatojnë obligimet nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi për zbatimin e saj, dhe të angazhohen me vullnet më të madh drejt normalizimit të raporteve, duke evituar edhe gjuhën e cila shkon kundër frymës së normalizimit. Përsëritet se “formalitetet“ rreth marrëveshjeve nuk duhet të merren si justifikim për moszbatimin e tyre.
Nuk ka progres në lirinë e shprehjes
Komisioni pritet të konstatojë se nuk ka pasur progres sa i përket lirisë së shprehjes.
“Përderisa mjedisi mediatik është pluralist, ai përballet me sfida që lidhen me transparencën e pronësisë së mediave dhe qëndrueshmërinë financiare“, thuhet në draftin e raportit, dhe përsëriten rekomandimet nga viti i mëparshëm për përmirësimin e kushteve për gazetarët, forcimin e raportimit profesional dhe përmirësimin e kapaciteteve për të zgjidhur rastet e sulmeve ndaj gazetarëve.
“Gjatë periudhës së përfshirë në raport, 70 raste të sulmeve fizike dhe verbale, si dhe kërcënime ndaj gazetarëve, janë raportuar, përfshirë edhe pengimin e gazetarëve dhe punëtorëve të mediave në kryerjen e punës së tyre”, thuhet në raport dhe përmendet se “gjatë fushatës zgjedhore, zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë edhe kryeministrin, kanë përdorur gjuhë ofenduese ndaj mediave”:
Kosova vlerësohet për rritjen domethënëse ekonomike gjatë periudhës që mbulohet nga ky raport. Por tërhiqet vërejtja se shkëmbimi tregtar është në disbalancë, me rritjen e importit krahasuar me eksportin.
Raportet më pozitive këtë vit janë ato për Malin e Zi dhe Shqipërinë, gjë që është e kuptueshme, pasi këto vende kandidate kanë bërë më së shumti përparim në procesin e negociatave të anëtarësimit. Raporti më negativ pritet të jetë ai për Serbinë, e cila në disa fusha nuk ka pasur fare progres, e në disa ka shënuar edhe kthim prapa. Serbia kritikohet edhe për kthimin prapa në lirinë e shprehjes, për sulmet ndaj organizatave të shoqërisë civile, për mungesën e gatishmërisë për të ndjekur rastet e krimeve të luftës dhe për retorikën anti-BE, të cilën e përdorin jo vetëm mediat, por edhe zyrtarët e lartë shtetërorë.
Paketa e zgjerimit dhe raportet individuale të progresit për secilin vend pritet të miratohen nga Komisioni Evropian të martën, më 4 nëntor, dhe të bëhen publike të njëjtën ditë.

