Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do ta takojë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.
Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit nuk është bërë e ditur se pse ky takim nuk do të zhvillohet në objektin e Qeverisë.
Por në gusht ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, e pati informuar Qeverinë në detyrë se zyrtarët e bllokut evropian nuk do të takohen në ndërtesat qeveritare derisa ekzekutivi të jetë me mandat të plotë. Në letrën e tij, ishte thënë se vendimi është marrë pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme në fund të qershorit, që pati hedhur poshtë një vendim të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, duke konstatuar se nxjerrja e akteve nënligjore apo udhëzimeve administrative nga ministrat që janë deputetë është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese.