Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas mbylljes së procesit zgjedhor për zgjedhjet lokale të mbajtura sot në vend. Ai ka vlerësuar se dita e zgjedhjeve është zhvilluar me qetësi, maturi dhe kulturë demokratike nga ana e qytetarëve.
“Sot, me qetësi e maturi, qytetarët e Kosovës dëshmuan edhe njëherë kulturën demokratike duke kaluar ditën e zgjedhjeve lokale me dinjitet e përgjegjësi,” ka shkruar Kurti në një postim.
Ai ka falënderuar qytetarët për mbështetjen ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidatëve të saj në komuna, duke theksuar se ky besim është forca për të vazhduar punën dhe përkushtimin përpara.
Në fund, Kurti ka theksuar rëndësinë e fazës së numërimit të votave, duke përmendur rolin e komisionerëve dhe vëzhguesve që, siç tha ai, “jo vetëm i numërojnë votat, por edhe i ruajnë ato dhe vullnetin e shprehur të qytetarëve.”/press7.tv