Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia vazhdimisht ka ndërhyrë në proceset zgjedhore në Kosovë, kur ajo është pyetur për organizimin e serbëve në veri nga Lista Serbe që t’iu drejtohen kutive të votimit.
Osmani ka shtuar se institucionet ndërkombëtare duket të reagojnë për shkelje flagrante të tilla nga Serbia.
“Siç e dini vazhdimisht Serbia vazhdimisht ka ndërhyrë në procese zgjedhore në Kosovë, ne natyrshëm që me institucionet e sigurisë do të bëjmë çmos që të gjithë qytetarëve të Kosovës edhe atyre në veri t’iu garantohet e drejta e lirisë në votë. Megjithatë shpresoj që pas raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën të kemi edhe më shumë institucione ndërkombëtare që do të reagojnë e të marrin masa për këto shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare nga ana e Serbisë, që përfshinë edhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në zgjedhjet e një shteti tjetër, e në këtë rast të Kosovës, duke përfshirë metoda të ndryshme, edhe kriminale për këto ndërhyrje”, deklaroi Osmani.
Pasi ka votuar edhe vetë, ajo ka thënë se sa më masive të jetë dalja në votim, aq më e fortë është demokracia në vend.
“Është ditë e rëndësishme për demokracinë tonë dhe sa më masive pjesëmarrja në procese zgjedhore aq më e fortë do jetë demokracia jonë. Shpresoj që ky do jetë proces me rezultat në të mirën tonë… Është shumë me rëndësi që qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe përmes saj të vendosin për shërbimet që do t’i shfrytëzojnë dhe mënyrën si do udhëhiqen komunat e tyre”, ka thënë ajo.