Kosovë Lajme

Osmani dekoron presidentin e FIFA-s

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është dekoruar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në një ceremoni të organizuar të mërkurën në Prishtinë, Infantino ka marrë Medaljen e Nderit.

Infantino ka thënë se është i nderuar dhe i lumtur për dekoratën. “Është nder i madh dhe kënaqësi e madh, emocion i madh e lumturi e madhe që të jem këtu në shtëpinë time, në Kosovë”, ka thënë fillimisht ai. “Dhe ta pranoj këtë nder të madh, këtë medalje nga ju, presidentja e Republikës së Kosovës, mikesha ime, në emër të një vendi të mrekullueshëm si Kosova. Kosova sot dhe Prishtina sot është kryeqyteti i botës apo jo? I botës së futbollit… por siç e dimë të gjithë futbolli është gjëja më e rëndësishme në botë, kështu që është kryeqyteti i botës”.

Ai ia ka dedikuar medaljen legjendës kosovare të futbollit, Fadil Vokrri.

Do të doja t’ia dedikoj këtë medalje, këtë nder e mirënjohje Fadil Vokrrit. Dhe të gjithë popullit të Kosovës në Kosovë e jashtë saj”, ka thënë ai duke shpjeguar për takimet që ka pasur me legjendën kosovare të futbollit.

Presidentja Vjosa Osmani ka vlerësuar Infantinon për mbështetjen që ia ka dhënë Kosovës në momente festive “por më së shumti për ato sfiduese”. Ajo ka thënë se ka qenë kontributi i Infantinos që ka bërë që secilit fëmijë të Kosovës t’i jepet arsye për të ëndërruar.

Exit mobile version