Lajme Rajon Shqipëri

Shqipëria i përgjigjet Serbisë: S’mund ta rishkruani historinë mbi akuza të pabaza

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë ka shprehur keqardhje të thellë për deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Serbisë, të lëshuar më 4 tetor 2025, kundër deklaratave të presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.

Shqipëria e ka akuzuar Serbinë se po përpiqet të rikthejë hijet e së shkuarës mbi një rajon që po përpiqet të ecë drejt së ardhmes.

Në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë thuhet se në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Serbisë ngrihet një seri akuzash dhe pretendimesh të pabaza, të cilat theksohet se Shqipëria i hedh poshtë me forcë dhe vendosmëri.

“Në këtë kontekst, çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën dhe për të ndërruar rolet e viktimës me të agresorit është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo frymë të paqes e pajtimit që rajoni ynë kërkon e meriton”, thuhet në reagim.

Osmani të shtunën, duke komentuar deklarimin e homologut të saj serb, Aeksandër Vuçiq se të gjithë po përgatiten për luftë dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën, ka thënë se thirrjet e Vuçiqit për luftë janë jehonë e rrezikshme dhe se me gjakderdhje të reja do që ta ruajë sundimin.

Ndërkohë Ministria Jashtme e Serbisë, në një deklaratë të lëshuar të dielën ka vlerësuar se deklarata e Osmanit është një përpjekje tjetër e saj për të zhvendosur vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga, siç thuhej, përndjekja sistematike e serbëve në Kosovë.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë e gjen me vend t’i kujtojë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë disa të vërteta historike, që lidhen me shkaktarët e vërtetë të ngjarjeve tragjike të vitit 1999, ngjarje që sollën vrasje, spastrime etnike dhe dëbimin me forcë të rreth një milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre. Është për të ardhur keq që deklarata e Ministrisë së Jashtme të Serbisë mbështetet ende mbi një Raport tashmë të diskredituar të Dik Martit, kur faktet e hetuara nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet e ngritura aty janë një fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë.

Tutje thuhet se këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht si përpjekje për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të përdoren më për t’iu shmangur përgjegjësisë së historisë. “Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi”, thuhet në reagim.

“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë shpreh bindjen e thellë se rajoni ynë ka nevojë për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë në frymën e fqinjësisë së mirë, jo për rikthim tek gjuha e akuzave e viktimizimit. Vetëm kështu mund të çlirohemi përfundimisht nga hijet e së shkuarës dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme në paqe, siguri dhe prosperitet një Ballkan të bashkuar në familjen tonë evropiane, ku përkasim nga rrënjët dhe aspiratat”, thuhet në reagim.

Tutje thuhet se Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet e gatshme për një bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal, siç theksohet në frymën e miqësisë së mirë, dinjitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve tanë.

Exit mobile version