Lajme Maqedoni

Arben Fetai: BDI financonte kishat ortodokse, ndërsa shqiptarët e Likovës pinin ujë me arsen

Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka reaguar ndaj politikave të BDI-së dhe ish-kryetarit të Komunës së Likovës, Erkan Arifi, duke i quajtur shembull tipik të hipokrizisë politike.

Fetai tha se gjatë qeverisjes së BDI-së, paratë e qytetarëve u shpërndanë për restaurimin e manastirit ortodoks të Mateçit, ndërsa banorët shqiptarë të Likovës përballeshin me mungesë uji të pijshëm, infrastrukturë dhe kushte bazike për jetesë.

“BDI në vitin 2020 ndau 300 mijë denarë për restaurim të këtij manastiri, në vitin 2021 – 1 milion, dhe në vitin 2023 edhe 1.5 milion denarë. Pra, sa ishin në pushtet, nuk i pengonin as kishat, as festat fetare të mbajtura aty çdo vit – madje edhe menjëherë pas luftës. Përkundrazi, ato i financonin nga buxheti, vizitonin manastire krah Vuçiçit dhe bënin thirrje për pajtim shqiptaro-serb, ndërsa nënat kosovare ende kërkonin bijtë e tyre të masakruar nga Serbia,” theksoi Fetai.

Ai shtoi se Erkan Arifi në atë kohë nuk reagonte ndaj problemeve jetike të popullit: “Kur banorët pinin ujë të helmuar me arsen, ai heshti. Kur bërllogu i komunës zbrazhej te dera e banorëve të Nikushtakut, ai prapë nuk reagonte. Kur mungonin rrugët, uji i pijshëm dhe kopshtet për fëmijë, ai sërish nuk shqetësohej.”

Sipas tij, sot kur BDI ka humbur pushtetin qendror dhe po humb edhe komunat, paraqitet si mbrojtëse e shqiptarëve.

“Likova e di mirë kush e ka helmuar, kush e ka poshtëruar dhe kush e ka shfrytëzuar për tenderë e pasuri personale. Shqiptarët e kuptojnë se kjo nuk është patriotizëm, por demagogji dhe panik i një organizate kriminale që shet gjithçka për pushtet,” përfundoi Fetai./press7.tv

Exit mobile version