Lajme Maqedoni

Kërçovë, dy nxënëse të shkollë së mesme “Drita” humbin jetën tragjikisht

Kërçova është tronditur nga një lajm i rëndë. Dy nxënëse të SHMK “Drita” – Kërçovë, Eriona Ramadani dhe Albina Abazi, kanë ndërruar jetë në rrethana tragjike, duke lënë pas një boshllëk të madh në familjet e tyre, në mesin e shoqërisë dhe në bankat e shkollës.

Nga drejtoria dhe stafi i shkollës është lëshuar një mesazh ngushëllimi ku theksohet se humbja e dy nxënëseve ka prekur thellë çdo kënd në institucionin arsimor, ndërsa zemrat e nxënësve dhe mësimdhënësve janë të mbushura me dhimbje.

“Me dhembje të thellë dhe zemra të tronditura morëm lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të dy nxënëseve tona të dashura, Eriona Ramadani dhe Albina Abazi. Humbja e tyre ka prekur thellë çdo kënd në shkollën tonë dhe ka lënë pas një boshllëk të pazëvendësueshëm në zemrat tona”, – thuhet në postimin e SHMK “Drita”.

Në mesazhin e tyre, drejtoria, stafi pedagogjik dhe nxënësit e shkollës shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjet, të afërmit dhe miqtë e Erionës dhe Albinës, duke u lutur që Zoti t’u japë forcë për të përballuar këtë humbje të madhe.

“Qoftë kujtimi i Erionës dhe Albinës i përjetshëm! U prehshin në paqe!” – përfundon mesazhi i SHMK “Drita” – Kërçovë.

Exit mobile version