Kryetari i Alternativës në Maqedoninë e Veriut, Zeqirija Ibrahimi, ka reaguar përmes një statusi të ashpër në rrjetet sociale ndaj pjesëmarrjes së Ali Ahmetit në tubimin e sotëm në Kosovë në mbështetje të ish-pjesëtarëve të UÇK-së të akuzuar nga Gjykata Speciale.
Ibrahimi ka ngritur një sërë pyetjesh drejtuar liderit të BDI-së, duke i kujtuar heshtjen dhe veprimet e munguar gjatë dy dekadave të pushtetit të tij në Maqedoninë e Veriut.
“Pse kurrë nuk mbajti asnjë tubim për t’i mbrojtur ushtarët e UÇK-së në Maqedoni të Veriut?”, pyet ai, duke vijuar me akuzën se Ahmeti nuk reagoi as kur policia, në kohën kur BDI kishte zëvendësministër të brendshëm, vrau kryekomandantin e UÇK-së, Harun Aliu – Komandant Kushtrimin.
Më tej, Ibrahimi e akuzon liderin e BDI-së për mungesën e ligjit për veteranët e luftës shqiptare në Maqedoni, duke thënë se përfitimet ua ka dhuruar vetëm branitellave maqedonas.
“Pse nuk ka shkuar asnjëherë për vizitë te familja e Komandant Kushtrimit dhe e Komandant Shqiponjës?”, vazhdon më tej ai.
Reagimi i tij përmbyllet me pyetjen:
“Çfarë ka deklaruar para hetuesve të Gjykatës Speciale në dy ditët që e kanë marrë në pyetje dhe pse ai shpëtoi pa ferrë në këmbë, ndërkohë që drejtuesit e tjerë të UÇK-së po i bëjnë disa vite në burg?”/press7.tv